Sunday, November 27, 2016

TESTO – ENANT

PËRBËRJA: Një ampulë përmban:
Lëndë vepruese : Enantat testosteroni 100 mg ose 250 mg.
Lëndë jo vepruese : vaj susami.

FORMA FARMACEUTIKE DHE PËRMBAJTJA
Ampulë për injektim i.m. Kuti me 1 ampulë.

KATEGORIA FARMAKOTERAPEUTIKE
Terapi hormonale me androgjenë.

MBAJTËSI I AUTORIZIMIT TE HEDHJES NË TREG DHE KONTROLLUESI
GEYMONAT S.p.A Via S. Anna,2-ANAGNI ( Frosinone ) .

INDIKIMET
Kastrim, eunokoidizëm, hipogonadizëm, kriptorkidizëm, çrregullime të fuqisë seksuale, oligospermi; metropati, fibromiomatozë uterine dhe forma të caktuara të karcinomës së gjirit tek gratë, si mjekim ndihmës.

KUNDËRINDIKIMET
Shtatzënia.
Mbindjeshmëria e njohur ndaj hormoneve androgjenë.
Testo-Enant kundërindikohet tek meshkujt që vuajnë nga karcinoma e prostatës ose e mammelave, në pacientët e moshuar tek të cilët është mirë të evitohet një hiperstimulim, në rastet e hipertrofisë beninje të prostatës me obstruksion veziko – uretrale.
Androgjenët janë të kundërindikuara edhe tek pacientët që vuajnë nga nefroza ose nga nefriti në fazë nefrotike, nga hipertensioni dhe nga çrregullime të rënda të funksionit hepatik.
Nuk këshillohet përdorimi tek fëmijët prematurë dhe të porsalindur.

PËRKUJDESJET DHE NDËRVEPRIMET GJATË PËRDORIMIT
Nëse vërehet hiperkalcemi simptomatike duhet ndërprerë trajtimi me androgjenë dhe duhet të merren masat e përshtatshme.
Tek pacientët kardiakë dhe tek subjektet me sëmundje renale ose hepatike mund të shfaqen edema, që mund të rëndohen më tej nga marrja e njëkohshme e kortikosteroidëve ose ACTH.
Si të gjithë steroidët anabolizantë Testo-Enanti mund të shtojë përgjigjen ndaj antikoagulantëve gjë që mund te kërkojë pakësimin e dozës se tyre me qëllim që koha e protrombinës të mbahet në nivelin e dëshiruar.
Pacientët diabetikë duhet të ndiqen me kujdes dhe doza e hipoglicemiantëve të rregullohet sipas nevojës.
Për shkak të veprimit rritës të nivelit të kolesterolit duhet treguar kujdes kur Testo-Enant përdoret tek pacientët që kanë kaluar infarkt ose vuajnë nga sëmundje të arterieve koronare.
Kur bari i merret në doza më të larta se ato të këshilluara në terapinë zëvendësuese tek burrat me hipogonadizëm, mund të vërehet një frenim i funksionit testikular dhe pakësim i vëllimit të ejakulatit ( spermës ).
Për këtë arësye këshillohet që cikli i trajtimit të vazhdojë katër javë dhe më pas të ndiqet nga e njëjta periudhë pushimi ( pa bar ).

KËSHILLA TË VEÇANTA
Nëse përdoret  tek fëmijët e vegjël mund të shkaktojë çrregullime të rënda të rritjes dhe zhvillimit seksual.
Tek gratë mund të shfaqet hirsutizëm ( rritje e qimeve ) dhe ndryshim i zërit, ndonjëherë të parikthyeshme.
Për ata që merren me aktivitet sportiv: përdorimi i barit jo për nevoja terapeutike përbën doping dhe kështu mund të japë rezultate pozitive ndaj testit anti-doping.
Bari të mbahet në vende të paarritshme nga fëmijët.

DOZIMI DHE MËNYRA E PËRDORIMIT
Një ampulë, çdo 3 – 4 javë, në injeksion intramuskular të thellë.
Në përgjithësi, përjashto rastet kur mjeku e përshkruan ndryshe, këshillohet:
Në hipogonadizëm mashkullor: 1 ampulë Testo – Enant 250 mg çdo 3 javë.
Në oligospermi: 1 ampulë Testo-Enant 100 mg çdo 4 javë.

EFEKTET E PADËSHIRUARA
Tek meshkujt e rritur janë vënë re efekte të padëshiruara të mëposhtme:
frenim të funksionit testikular, atrofi testikulare dhe oligospermi, impotencë, priapizëm kronik, gjinekomasti, epididimit, irritim i fshikëzës së urinës.
Gjithashtu janë të njohura efektet e padëshiruara si rezultat i përdorimit të anabolizantëve steroidë, si: rritje ose ulje të epshit, hiperemi e lëkurës, akne, varësi ndaj barit, eksitim ose përgjumje, rrëqethje, leukopeni dhe, tek pacientët që trajtohen njëkohësisht me antikoagulantë, hemoragji.
Urtikaria, infiltrimet në vendin e injektimit dhe furunkuloza gjithashtu mund të shfaqen gjatë injektimit i.m. të tyre.

Mund të vihen re ndryshime të vlerave të provave laboratorike të mëposhtme:
testi i metirapone, glicemia esëll dhe pas ngrënies, provat e funksionit të tiroides ( ulje të P.B.J. të fuqisë lidhëse të tiroksinës dhe të rikapjes së jodit radioaktiv; rritje të rikapjes së T 3 nga ana e eritrociteve ose rezinës; nivelet e tiroksinës së lirë mbeten normale.
Vlerat e ndryshuara mbeten të tilla, në përgjithësi, edhe 2-3 javë mbas ndërprerjes së terapisë me anabolizantë ),
elektrolitët, provat e koagulimit ( rritje e faktorëve të koagulimit Il, V, VII, X ), si dhe ulje të eksretimit të kreatininës dhe kreatinës deri në dy javë pas ndërprerjes së trajtimit, si dhe rritje të 17 – ketosteroidëve.
Çdo efekt i padëshiruar, i pa përshkruar në fletëudhëzues, duhet ti njoftohet menjëherë mjekut ose farmacistit.
Të përdoret brenda datës së skadencës të shënuar në paketim.

RUAJTJA
Bari duhet të ruhet në kushte normale të mjedisit.                                    GEYMONAT S.p.A.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive