Wednesday, November 23, 2016

Oxetin (tableta)

1.Çfarë është OXETIN® dhe për çfarë përdoret

Përbërja:
Një film tabletë përmban: 20 mg fluoksetinë në formë të fluoksetinë kloridit.

Paketimi:
Kutia me 20 filmtableta.

Si vepron OXETIN®
Fluoksetina është inhibitor i fuqishëm selektiv i rimarrjes së serotoninit duke ndikuar në grumbullimin e serotoninës dhe rritjen e neurotransmisionit serotonergjik.
Fluoksetina manifeston efektet minimale antikolinergjike dhe antimuskarinike.

Kur përdoret OXETIN®
OXETIN® filmtabletat janë të dedikuara për shërim te:

Sindromi i depresionit;
Çrregullimi kompulsiv – opsesiv;
Bulemia nervosa.
2. Çfarë duhet të dini para se të përdorni
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet ta përdorni OXETIN®
Ndjeshmëria ndaj fluoksetinës ose përbërësve tjerë të barit;
Përdorimi i njëkohësishëm i fluoksetinës dhe inkibitorëve të monoaminooksidazës ose tioridazinës.

Përkujdesjet
Shfaqja e kruarjes së lëkurës, urtikaria ose simptome që indikojnë reaksionin alergjik të barit janë shenjë për ndërprerjen e përdorimit të tij.
Fluoksetina duhet përdorur me kujdes te pacientët me konvulzione në anamnezë.
Meqë bari mund të ketë veprim reduktues në peshën trupore rekomandohet kujdes gjatë terapisë te pacientët e dobët ose pacientët që vuajnë nga anorexia nervosa.

Marrja e OXETIN® me ushqim dhe pije
Prania e ushqimit në stomak nuk ka ndikim në veprimin e këtij bari.

Shtatzania dhe ushqyerja me gji
Këshillohuni me mjekun ose farmacistin para se të filloni të merrni ndonjë bar.
Klasifikohet në kategorinë C sipas FDA klalsifikimit sipas shkallës së rrezikut në shtatzëni: Studime të kontrolluara adekuate te grate shtatzana nuk janë realizuar. Fluoksetina gjatë shtatzanisë mund të përdoret në raste të veçanta, përkatësisht vetëm nëse mjeku vlerëson se dobia për shëndetin e nënës e tejkalon rrezikun e mundshëm për fetusin.
Fluoksetina ekskretohet në qumështin e nënës. Nëse është i indikuar përdorimi i barit gjatë periudhës së gjidhënies, nënave u këshillohet ndërprerja e gjidhënies dhe aplikimi i ushqimit artificial te foshnjet.

Efektet mbi aftësinë për të drejtuar automjetin dhe për të përdorur makineri
Sikurse edhe barnat tjera psikoaktive, fluoksetina ndikon në aftësitë psikofizike të pacientit, prandaj gjatë terapisë nuk rekomandohet drejtimi i automjeteve ose puna me makineri.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut.
-Është i kundërindikuar përdorimi i njëkohësishëm i fluoksetinit dhe inhibitorëve të monoamonooksodazës-IMAO (është e domosdoshme intervali kohor prej së paku 2 javësh pas ndërprerjes së përdorimit të IMAO dhe fillimit të aplikimit të fluoksetinës, kurse interval prej së paku 5 javësh pas përfundimit të terapisë me fluoksetinë dhe para fillimit të përdorimit të IMAO-së.
-Është i kundërindikuar përdorimi i njëkohësishëm i fluoksetinës dhe tioridazinës (është e domosdoshme intervali prej së paku 5 javësh pas përfundimit të terapisë me fluoksetinë, para fillimit të përdorimit të tioridazinës).
Astemizoli: rrezik i shtuar i shfaqjes së efekteve kardiotoksike; nuk rekomandohet përdorimi i njëkohësishëm.
Klaritromicina: rrezik i shtuar i shfaqjes së toksitetit të fluoksetinës; nuk rekomandohet përdorimi i njëkohësishëm.
Tramadoli: te pacientët me kolvulsione në anamnezë është i kundërindikuar përdorimi i njëkohësishëm.
Diltiazemi: gjatë manifestimit të çfarëdo shenje të toksitetit të diltiazemit (mundimit, skuqjes së fytyrës, edemave, kokëdhembjes) duhet redukuar dozën e tij.
Aspirina: është i kundëindikuar përdorimi te pacientët alergjik në fluoksetinë.
Kinidina: është i shtuar rreziku i shfaqjes së toksitetit të të dy barnave; sipas nevojës të redukohet doza e tyre.
Ketorolak: sipas mundësisë duhet shmangur përdorimit të njëkohësishëm për shkak të rrezikut të shfaqjes së haluçinacioneve.
Antiepileptikët: (fenitoina, karbamazepina): është i shtuar rreziku i shfaqjes së toksitetit të antiepileptikëve; sipas nevojës të reduktohen dozat e tyre.
Antipsikotikët (haroperidoli, klozapina): rreziku i shfaqjes së simptomave ekstrapiramidale; sipas nevojës të reduktohet doza e medikamenteve.
Alprozolam, diazepam: rreziku i shtuar i shfaqjes së toksitetit të benzodiazepinave; sipas nevojës të reduktohet doza e tyre.
Litiumi: rrezik i shtuar i shfaqjes së toksitetit të litiumit (dobësi, lodhje, etje, pengesa) dhe sindromat të serotoninës (hipertensioni, hipertermia, mioklonusi); sipas nevojës të përshtatet doza.
Antidepresivët triciklik: pas aplikimit të fluoksetinës në terapi, të reduktohet doza me antidepresivë triciklikë.
Metoprololi: rrezik i shtuar i shfaqjes së efekteve të padëshirueshme të metoprololit; sipas nevojës të reduktohen dozat e tij.
Triptofani: rrezik i shtuar i shfaqjes së sindromit të serotoninës; sipas nevojës të reduktohet doza e njërit ose e të dy barnave.
Flufenazina: paraqitja e shenjave të parkinsonizmit akut është shkas për ndërprerjen e përdorimit të fluoksetinës.
Varfarina: rreziku i shtuar i gjakderdhjes; rregullisht të përcillet koha e koagulimit dhe sipas rezultateve të përshtatet doza e varfarinës.
Digitoksina, digoksina: rreziku i shtuar i shfaqjes së toksitetit të digitoksinës, përkatësisht digoksinës (mundim, vjellje, aritmi); sipas nevojës të përshtatet dozimi.
Ginkgo: rrezik i shtuar i shfaqjes së sindromit të serotoninës; sipas nevojës të përshtatet dozimi.

3. Si përdoret OXETIN®
Nëse vëreni se efekti i barit është shumë i forte ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Gjatë trajtimit të tri indikacioneve të lartëpërmendura rekomandohet dozimi si në vijim:
20 mg në mëngjes si dozë fillestare. Nëse me përdorimin e kësaj doze gjatë disa javëve nuk arrihet efekti adekuat terapeutik, doza mund të rritet gradualisht deri në arritjen e efektit të dëshiruar.
Përkujdesjet përgjithshme të lidhura me dozimin:
-Doza maksimale e fluoksetinës nuk guxon të tejkaloj 80 mg në ditë.
-Dozat e fluoksetinës mbi 20 mg në ditë mund të përdoren në një doze ose të ndara në dy doza të barabarta (në mëngjes dhe drekë).
-Efekti i plotë terapeutik i barit pritet pas 4 javësh të trajtimit ose më gjatë. Pas përdorimit të vazhduar të dozave më të vogla efikase të barit (deri 6 muaj), mjeku duhet të bëjë vlerësimin e nevojës së vazhdimit ose ndërprerjes graduale të terapisë.
-Nuk ka të dhëna për efikasitetin dhe sigurinë e përdorimit të fluoksetinit te fëmijët.
-Te pacientët me funksion të dëmtuar rëndë të mëlçisë dhe veshkave, te pacientët e moshuar si dhe te ata që përdorin shumë barna në të njëjtën kohë, rekomandohet përdorimi i dozave më të vogla efektive të fluoksetinës ose intervale më të gjata ndërmjet dozave.

Nëse përdorni OXETIN® më shumë sesa duhet
Nëse keni marrë një mbidozë, këshillohuni menjëherë me mjekun ose farmacistin!
Shenjat: mundim, vjellje, shqetësim, reaksione manike dhe shenja tjera të ekscitimit të SNQ-së duke përfshirë edhe konvulzionet.
Trajtimi: sigurimi i kalueshmërisë së rrugëve respiratore dhe përdorimi i oksigjenit paraqesin hapin prioritar terapeutik. Aplikimi i karbonit medicinal është treguar mjaft i dobishëm. Mbikqyrja e vazhdueshme e aktivitetit të zemrës dhe shenjave vitale rekomandohet deri në këndelljen e pacientit.

Nëse haroni të merrni OXETIN®
Kurrë mos merrni dozë të dyfishuar për të zëvendësuar dozën e harruar.
Vazhdoni përdorimin e barit në intervale të zakonshme.

4. Efektet anësore të mundshme
Si të gjitha barnat e tjera, edhe OXETIN® mund të shkaktojë efekte anësore
Gjatë përdorimit në kuadër të indikacioneve të përcaktuara dhe dozimit të rekomanduar bari tolerohet mjaft mirë.
Mund të paraqiten, mundimi, vjellja, diarrea, humbja e oreksit, tharja e buzëve, gëlltitja e vështirësuar, dispesioni dhe dhimbjet abdominale por këto efekte janë kryesisht të karakterit kalimtar dhe gradualisht tërhiqen gjatë terapisë.
Si efekte anësore shumë të rralla janë raportuar edhe: kruarja e lëkurës, urtikaria, frika, nervoza, pagjumësia, kokëdhembja, plogështia, maramendja, hipertensioni, takikardia, konjuktivitisi, pengesa në të pamur, riniti, faringit, frymëmarrje e vështirësuar, dhimbje në muskuj, në nyje dhe në eshtra, pengesa gjatë urinimit, disfunksion seksual, hipokalemia, hiponatremia, anemia dhe mundësia e gjakëderdhjes dhe në rast të manifestimit të tyre kërkohet ndërprerja e përdorimit të barit.
Nëse vëreni ndonjë nga efektet anësore të renditura më sipër ose ndonjë efekt anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzim, ju lutemi informoni mjekun ose farmacistin.

5. Ruajtja dhe afati i përdorimit
Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve.

Afati i përdorimit
Bari nuk duhet përdorur pas kalimit të afatit të përdorimit të shënuar në paketim.

Mënyra e dhënies së barit
Bari jepet vetëm me recetë të mjekut.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive