Tuesday, November 22, 2016

Oltar (tableta)

1. ÇFARË ËSHTË Oltar® 2 DHE PËR ÇFARË PËRDORET?
Oltar® 2 është një bar që shërben për uljen e nivelit të sheqerit në gjak (bar antidiabetik oral, i grupit të substancave rrjedhëse prej sulfonilureve).

Përdorimet
Për trajtimin e një forme të caktuar të diabetit të sheqerit (diabeti melit tipi 2) në rastet kur dieta, veprimtaria fizike dhe rënia në peshë nuk janë treguar të mjaftueshme.

Vini re:
Baza e trajtimit të diabetit është dieta e përshkruar nga mjeku, të cilën ju duhet ta zbatoni me rreptësi.
Në asnjë rast përdorimi i Oltar® 2 nuk mund të zëvendësojë dietën që ju ka përshkruar mjeku.

2. ÇFARË DUHET TË DINI PËRPARA SE TË PËRDORNI Oltar® 2?
Ju nuk duhet të përdorni Oltar® 2:
- në rast se jeni të mbindjeshëm ndaj lëndëve vepruese (glimepiridit), disa barnave të tjerë (sulfonilureve ose sulfonamideve) ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë jo veprues të Oltar® 2;
- në rast se vuani nga diabeti insulinë-vartës (diabet melit tipi 1);
- në kushtet e mjegullimit të ndërgjegjes, ose humbjes së ndërgjegjes, si pasojë e rritjes së theksuar të nivelit të sheqerit në gjak (prekoma ose koma diabetike);
- në çrregullimet e rënda metabolike diabetike (p.sh. ketoacidozë aktuale ose e kaluar);
- në rast se vuani nga dëmtime të rënda të funksionit të veshkave ose mëlçisë.
Deri më sot, nuk ka një përvojë të mjaftueshme lidhur me përdorimin e Oltar® 2 në pacientët me dëmtime të rënda të funksionit të veshkave (pacientë në dializë) ose mëlçisë, për pasojë këta pacientë duhet të trajtohen me insulinë.

Përkujdesje të veçanta, të nevojshme përpara se të përdorni Oltar® 2:
Trajtimi i diabetit me Oltar® 2 kërkon që ju të kontrolloheni rregullisht nga mjeku:
Gjatë trajtimit me Oltar® 2 nevojitet që të kontrollohen rregullisht vlerat e sheqerit në urinë dhe në gjak. Gjithashtu, këshillohet që të kontrollohet edhe hemoglobina e glukozuar (HbA1 ose HbA1c). Gjithashtu, është e nevojshme që të kontrollohet formula e gjakut, sidomos numri i rruazave të bardha të gjakut (leukociteve) dhe trombociteve, si edhe funksioni i mëlçisë.
Me qëllim që të arrihet një gjendje e mirë metabolike (d.m.th. vlera të sheqerit në gjak në nivelin e duhur dhe pa luhatje të mëdha), duhet të zbatoni me përpikëri planin e trajtimit të përgatitur nga mjeku.
Mbajtja e dietës, veprimtaria fizike dhe kur nevojitet rënia në peshë janë po aq të nevojshme sa edhe marrja e rregullt e barit. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të paraqiteni rregullisht tek mjeku me qëllim që të kontrolloni nivelin e sheqerit në urinë dhe në gjak.
Sidomos në fillim të trajtimit, rreziku i shfaqjes së hipoglicemisë (rënies së nivelit të sheqerit në gjak) mund të rritet, prandaj nevojitet një mbikqyrje e kujdesshme nga ana e mjekut.

Rënia e nivelit të sheqerit në gjak gjithashtu mund të ndodhë:
- në rast se vaktet ushqimore merren në mënyrë të çrregullt ose nuk merren fare;
- në rast se nuk merrni fare ushqim ;
- në rast se jeni keq-ushqyer;
- në rast se ndryshoni dietën;
- në rast se kryeni veprimtari fizike të pazakonta ose raporti ndërmjet veprimtarisë fizike dhe marrjes së karbohidrateve nuk është i drejtë;
- në rast se konsumoni alkool dhe veçanërisht, kur për më tepër nuk e merrni fare vaktin ushqimor;
- në rast se përdorni njëkohësisht barna të tjerë, përfshi edhe produktet natyrale;
- në rast se përdorni një dozë Oltar® 2 më të madhe nga sa nevojitet;
- në rast se vuani nga çrregullime hormonale (çrregullime të funksionit të tiroides, çrregullime funksionale të gjendrës së hipofizës ose të korteksit të gjendrës mbiveshkore);
- në rast se keni të dëmtuar funksionin e veshkave;
- në rast se vuani nga çrregullime të rënda të funksionit të mëlçisë;
- në rast se nuk ndiqni këshillat që ju ka dhënë mjeku ose që jepen në këtë fletë udhëzuese për pacientin.
Jeni të lutur të njoftoni mjekun në rast se këto rreziqe janë të mundshme, me qëllim që ai të rishikojë dhe mundësisht të rregullojë dozën e Oltar® 2 apo të gjithë planin e trajtimit.
Shenjat e mundshme të rënies së nivelit të sheqerit në gjak që mund të paralajmërojnë për një rënie të mëtejshme më të theksuar, janë:
Dhimbje koke, uri e shprehur, të përziera, të vjella, lodhje, gjumësi, çrregullime të gjumit, shqetësim, agresivitet, çrregullime të përqendrimit, rënie e reagimit dhe e vëmendjes, depresion, konfuzion, si edhe (ka mundësi që të jenë edhe të formës së rëndë) çrregullime të të folurit dhe pamjes, dridhje, paralizë, çrregullime ndjesore, marrje mendsh dhe pafuqi.
Gjithashtu, mund të shfaqet djersitje, lëkurë e lagësht, ndjenjë ankthi, shtim i shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës, rritje e presionit të gjakut, palpitacione (perceptim i rrahjeve të zemrës), si edhe dhimbje të papritura në gjoks, të cilat mund të rrezatojnë në zonat përreth (angina pektoris) apo çrregullime të ritmit të zemrës.
Ndërkohë që rënia e nivelit të sheqerit në gjak përparon, mund të përjetoni një gjendje konfuzioni të theksuar (delir), të zhvilloni konvulsione, të humbni vetëkontrollin, frymëmarrja bëhet sipërfaqësore, puna e zemrës rrallohet dhe mund të humbisni ndërgjegjen.
Shenjat e rënies së nivelit të sheqerit në gjak, pothuajse gjithmonë, mund të kalojnë me shpejtësi pas marrjes së karbohidrateve (p.sh sheqer në trajtën e kubikëve të sheqerit, lëngjeve të ëmbla të frutave, ose çajit me sheqer). Për këtë arsye, duhet të mbani gjithmonë me vete një sasi të mjaftueshme sheqeri (të paktën 20 gram). Mos harroni se substancat ëmbëltuese artificiale nuk e kanë këtë efekt. Në rast se pas marrjes së sheqerit nuk vërehet asnjë përmirësim ose shenjat rishfaqen, kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut ose shkoni në spitalin më të afërt.
Shenjat paralajmëruese të rënies së nivelit të sheqerit në gjak mund të mungojnë, të jenë më të dobëta ose të zhvillohen me ngadalë. Në këto raste nuk do të jeni në gjendje që të kuptoni në kohën e duhur rënien e nivelit të sheqerit në gjak.
Kjo është e mundur në pacientët e moshuar, në rast se përdorni barna të caktuar (barna që veprojnë në sistemin nervor qëndror dhe betabllokues), ose në rast se vuani nga neuropatia autonome (vegjetative). Në gjendjet ku funksioni i mëlçisë është i dëmtuar, ka mundësi që mekanizmat rregullatorë të nivelit të sheqerit në gjak të jenë të çrregulluara.
Në gjendjet që shoqërohen me stres, si p.sh. aksidentet, ndërhyrjet kirurgjikale apo gjendjet febrile, mund të jetë e nevojshme që përkohësisht, i sëmuri të trajtohet me insulinë.
Shenjat klinike të rritjes së nivelit të sheqerit në gjak (hiperglicemi e shkaktuar p.sh. nga veprimi i pamjaftueshëm i Oltar® 2, në rast se nuk ndiqen udhëzimet e mjekut lidhur me dietën ose në gjendje stresi) mund të jenë: etje e theksuar, tharje goje, urinim i shpeshtë, të kruara dhe/ose tharje të lëkurës, infeksione mykotike ose infeksione të lëkurës, si dhe rënie e performancës.

Fëmijët
Ky produkt mjekësor nuk duhet të përdoret te fëmijët, pasi përvoja dhe njohuritë për këtë moshë nuk janë të mjaftueshme.

Të moshuarit
Në njerëzit me moshë të thyer është i pranishëm rreziku që, veçanërisht reaksionet që shoqërojnë rënien e nivelit të sheqerit në gjak, të jenë të vonuara.
Në rast se jeni i moshuar ju duhet të përshtasni me kujdes dozën e barit, si dhe duhet të kontrolloni më shpesh, sidomos në fillim të trajtimit nivelin e sheqerit në gjak.

Shtatzania
Oltar® 2 nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë. Në rastet kur planifikoni të mbeteni shtatzënë duhet të diskutoni me mjekun rreth trajtimit tuaj.
Në rast se mbeteni shtatëzënë ndërkohë që trajtoheni me Oltar® 2, duhet të njoftoni menjëherë mjekun.

Periudha e ushqyerjes me gji
Nuk dihet në se glimepiridi kalon në qumështin e gjirit; për këtë arsye, Oltar® 2 nuk duhet të përdoret në periudhën e ushqyerjes me gji.

Aftësia për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri
Aftësia juaj për t’u përqendruar dhe për të reaguar mund të dëmtohet në rastet kur niveli i sheqerit në gjak është tepër i rritur ose tepër i ulur, ose p.sh. kur këto gjendje shkaktojnë çrregullime të shikimit.
Ju duhet të mbani gjithnjë parasysh mundësinë e këtij rreziku sa herë që përfshiheni në veprimtari që mund t’ju dëmtojnë ju ose të tjerët (p.sh. kur drejtoni automjete ose kur përdorni makineri).

Ju duhet të diskutoni me mjekun në se është e këshillueshme që të drejtoni një automjet në rast se:
• keni rënie të shpeshta të nivelit të sheqerit në gjak;
• shenjat paralajmëruese të rënies së nivelit të sheqerit në gjak i keni të pakësuara ose ju mungojnë.

Përdorimi i Oltar® 2 njëkohësisht me barna të tjerë:
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se jeni duke përdorur ose para pak kohësh keni përdorur barna të tjerë, përfshi edhe ata që merren pa recetë.
Në rast se Oltar® 2 përdoret njëkohësisht me disa barna të tjerë, mund të vërehet një shtim ose pakësim i padëshiruar i efektit të Oltar® 2.

Niveli i ulur i sheqerit në gjak, si shenjë e fuqizimit të efektit të Oltar® 2, mund të ndodhë si pasojë e marrjes së njëkohshme të tij me një apo disa prej barnave të mëposhtme:
- barna të tjerë antidiabetikë, përfshi insulinën;
- barna për trajtimin e infeksioneve (antibiotikë, të tillë si kloramfenikoli, kinolonet, tetraciklinat, sulfonamidet);
- barna kundër dhimbjes dhe reumatizmës (pirazolonet, të tilla si fenilbutazoni, azapropazone, oksifenbutazoni);
- barna kundër dhimbjes (salicilatet);
- barna kundër tuberkulozit (acidi paraaminosalicilik);
- barna që shtojnë masën muskulare (steroidët anabolizantë dhe hormonet seksuale mashkullore);
- barna që pengojnë mpiksjen e gjakut (kumarinikët);
- barna për trajtimin e infeksioneve mykotike (mikonazol, flukonazol);
- barna për uljen e presionit të gjakut ose barna për uljen e frekuencës së zemrës (ACE inhibitorë, betabllokues, simpatolitikë);
- barna që rritin humorin (fluoksetinë, MAO inhibitorë);
- barna që frenojnë oreksin (fenfluraminë);
- barna që ulin yndyrnat në gjak (fibratet);
- barna kundër kancerit (ciklofosfamid, trofosfamid dhe ifosfamid);
- barna kundër alergjisë (tritokualinë);
- barna për përmirësimin e qakullimit të gjakut, kur jepen me infuzion dhe me doza të larta (pentoksifilinë);
- barna kundër podagrës (probenecid, allopurinol, sulfinpirazon).

Niveli i rritur i sheqerit në gjak, si shenjë e pakësimit të efektit të Oltar® 2, mund të ndodhë si pasojë e marrjes së njëkohshme të tij me një apo disa prej barnave të mëposhtëm:
- hormone seksuale femërore (estrogjenikë dhe progesteronikë);
- barna që shtojnë sasinë e urinës (saliuretikët, diuretikët tiazidikë);
- hormonet e tiroides;
- barna antiinflamatorë (kortikosteroidët);
- barna për trajtimin e konvulsioneve ose skizofrenisë (fenitoinë, fenotiazinat);
- barna për uljen e presionit të gjakut (diazoksid);
- barna kundër tuberkulozit (rifampicinë);
- barna për trajtimin e nivelit të ulur të sheqerit në gjak (glukagon);
- barna gjumëdhënës (barbiturate);
- barna për trajtimin e glaukomës (acetazolamid);
- barna për rritjen e frekuencës së zemrës (adrenalinë dhe simpatomimetikë);
- barna që ulin yndyrnat në gjak (nikotinatet);
- barna laksativë, kur përdoren për një kohë të gjatë.
Barnat për trajtimin e ulçerave të stomakut ose duodenit (H2-bllokuesit) ose barnat që ulin presionin e gjakut (betabllokuesit, klonidina dhe rezerpina) mund të shkaktojnë si shtim, ashtu edhe pakësim të efektit të Oltar® 2.
Përdorimi i alkoolit mund të shkaktojë si shtim, ashtu edhe pakësim të efektit të Oltar® 2.
Disa barna që ndikojnë në sistemin nervor qëndror (betabllokuesit, klonidina, guanetidina ose rezerpina) mund të maskojnë ose frenojnë plotësisht shenjat e rënies së nivelit të sheqerit në gjak.
Oltar® 2 mund të shkaktojë si shtim, ashtu edhe pakësim të efektit të barnave që pengojnë mpiksjen e gjakut (kumarinikëve).
Njoftoni mjekun përpara se të filloni të përdorni barna të tjerë.

Përdorimi i Oltar® 2 njëkohësisht me ushqimet dhe lëngjet:
Baza e trajtimit të diabetit është dieta e përshkruar nga mjeku, të cilën ju duhet ta zbatoni me rreptësi. Në asnjë rast përdorimi i Oltar® 2 nuk mund të zëvendësojë dietën që ju ka përshkruar mjeku.
Përdorimi i alkoolit, një herë apo vazhdimisht, mund të shkaktojë shtim ose pakësim, në drejtim të paparashikuar, të efektit të Oltar® 2.
Pyesni mjekun lidhur me sasinë alkoolit që mund të përdorni.

Të dhëna të rëndësishme lidhur me lëndët e tjera përbërëse të Oltar® 2:
Ky produkt mjekësor përmban laktozë. Për këtë arsye, përpara se të përdorni Oltar® 2 këshillohuni me mjekun në rast se dini që vuani nga intoleranca ndaj sheqernave.

3. SI PËRDORET Oltar® 2?
Përdoreni Oltar® 2 gjithmonë në përputhje me udhëzimet që ju ka dhënë mjeku.
Në rast se nuk jeni plotësisht të sigurtë, pyesni mjekun ose farmacistin. Doza e përshtatshme për ju përcaktohet nga rezultati i ekzaminimeve të metabolizmit tuaj (përcaktimi i nivelit të sheqerit në urinë dhe gjak). Kur rrethanat e jashtme ndryshojnë (p.sh.pakësimi në peshë, ndryshimi i stilit të jetesës, stresi) ose kur gjendja e sëmundjes përmirësohet, mund të jetë e nevojshme që doza e Oltar® 2 të ndryshohet
Doza fillestare e zakonshme për të rriturit është 1 mg glimepirid në ditë. Në rast se kjo dozë rezulton e suksesshme, ajo mund të përdoret edhe më tej gjatë ciklit të mjekimit. Në rastet kur doza ditore fillestare duhet të rritet, bazuar kjo në rezultatet e ekzaminimeve të metabolizmit, ajo rritet gradualisht në 2, 3 ose 4 mg në ditë, përgjatë intervaleve kohore 1-2 javore.
Përdorimi i dozave më të mëdha se 4 mg glimepirid në ditë mund të shoqërohet me shtim të efektit vetëm në raste të veçuara. Doza më e lartë e këshilluar është 6 mg glimepirid në ditë. Në rast se, me gjithë përdorimin e dozës më të madhe të lejuar të metforminës, nuk arrihet një rregullim i mjaftueshëm i metabolizmit, atëherë, nën mbikqyrjen e mjekut, mund të fillohet trajtimi i kombinuar me Oltar® 2.
Në rast se, me gjithë përdorimin e dozës më të madhe të lejuar të Oltar® 2, nuk arrihet një rregullim i mjaftueshëm i metabolizmit, atëherë, nën mbikqyrjen e mjekut, mund të fillohet trajtimi i kombinuar edhe me insulinë.
Në këto raste, mjeku do të përcaktojë dozën e nevojshme të Oltar® 2, metforminës dhe insulinës.

Mënyra e përdorimit (marrjes)
Tabletat duhet të gëlltiten të plota, të shoqëruara me një sasi të mjaftueshme lëngu (p.sh. me një gotë me ujë).
Në varësi të stilit tuaj të jetesës (zakoneve të të ushqyerit), mjeku do të përcaktojë si kohën e marrjes së barit, ashtu edhe nevojën që doza ditore të merret në disa ndarje. Zakonisht, doza ditore merret njëherësh, menjëherë përpara ose gjatë vaktit ushqimor të mëngjesit. Në rast se i sëmuri nuk ha mëngjes, atëherë marrja e barit duhet të bëhet menjëherë përpara ose gjatë vaktit ushqimor kryesor të ditës. Marrja e Oltar® 2 në kohën e përcaktuar nga mjeku është e rëndësishme. Në rast se keni marrë Oltar® 2 ju nuk duhet të rrini pa ngrënë vaktin ushqimor. Njoftoni mjekun në rast se keni përshtypjen që veprimi i Oltar® 2 është tepër i fortë ose i pamjaftueshëm (i mangët).

Në rast se merrni një sasi më të madhe Oltar® 2 nga ajo që nevojitet:
Në qoftë se merrni një sasi më të madhe ose ndonjë dozë shtesë Oltar® 2, me qenë se rrezikoni që të ulet niveli i sheqerit në gjak, ju duhet të merrni një sasi të mjaftueshme sheqeri (p.sh. kubikë sheqeri, lëngje të ëmbla frutash, çaj me sheqer) (shih paragrafin ” Përkujdesje të veçanta, të nevojshme përpara se të përdorni Oltar® 2” për shenjat e rënies së nivelit të sheqerit në gjak). Sa më sipër vlen edhe në rastet kur bari merret aksidentalisht, p.sh. nga një fëmijë. Në rast se i sëmuri ka humbur ndërgjegjen, nuk duhet t’i jepen lëngje ose ushqime.
Për shkak se rreziku i rënies së nivelit të sheqerit në gjak mund të jetë i zgjatur, është e nevojshme që i sëmuri të jetë nën mbikqyrje derisa ky rrezik të ketë kaluar plotësisht. Në raste të caktuara, si masë përkujdesje, mund të jetë i nevojshëm shtrimi në spital. Kur rënia e nivelit të sheqerit është e theksuar dhe shoqërohet me humbje të ndërgjegjes dhe defiçite të rënda neurologjike, ajo duhet të vlerësohet si urgjencë mjekësore dhe për pasojë, i sëmuri duhet të trajtohet menjëherë nga mjeku dhe të shtrohet në spital. Në kushtet e urgjencës, mjeku duhet të sigurohet që njerëzit që e lajmërojnë e njohin paraprakisht të sëmurin.

Në rast se harroni të merrni Oltar® 2:
Në rast se keni harruar të merrni një dozë në asnjë rast mos e dyfishoni dozën, por vazhdoni ta merrni barin si zakonisht.

Në rast se ndërprisni marrjen e Oltar® 2:
Në rast se ndërprisni marrjen e Oltar® 2, ose ndaloni para kohe trajtimin, ju duhet të kuptoni që efekti i dëshiruar i uljes së nivelit të rritur të sheqerit në gjak nuk do të shfaqet ose diabeti do të përkeqësohet përsëri.
Në raste kur gjykoni që është e nevojshme që të bëhen ndryshime, njoftoni mjekun pa hezitim.

4. CILAT JANË EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNDSHME?
Si të gjithë barnat, Oltar® 2 mund të shfaqë efekte të padëshiruara.
Vlerësimi i efekteve të padëshiruara është bërë sipas shpeshtësisë së më poshtme:
Shumë të zakonshme: Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar.
Të zakonshme: Më pak se 1 në 10, por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar.
Jo të zakonshme: Më pak se 1 në 100, por më shumë se 1 në 1,000 pacientë të trajtuar.
Të rralla: Më pak se 1 në 1,000, por më shumë se 1 në 10,000 pacientë të trajtuar.
Shumë të rralla: Më pak se 1 në 10,000 pacientë të trajtuar, përfshi edhe shpeshtësinë e panjohur.

Çrregullime të gjakut dhe sistemit limfatik
Të rralla:
Rrallë mund të vërehen ndryshime në numrin e qelizave të gjakut.
Zakonisht ato janë të rikthyeshme kur trajtimi ndërpritet por, në raste të veçuara mund të bëhen serioze.
Janë përshkruar raste me pakësim të numrit të trombociteve, pakësim të numrit të eritrociteve dhe leukociteve, deri pakësim kërcënues për jetën të numrit të të gjithë qelizave të gjakut, anemi (anemi hemolitike)

Çrregullime të sistemit imunitar
Shumë rrallë, si pasojë e reaksioneve të mbindjeshmërisë (p.sh. në lëkurë) mund të shfaqet një situatë kërcënuese për jetën, e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje, rënie të presionit të gjakut dhe që mund të përparojë deri në gjendje shoku.
Për këtë arsye, në rast se ju shfaqen reaksione në lëkurë, duhet të njoftoni menjëherë mjekun. Shumë rrallë gjithashtu, mund të shfaqet inflamacion i enëve të gjakut (vaskulit alergjik).
Mund të jenë të pranishme edhe reaksionet e kryqëzuara me barna të tjerë, të tillë si sulfoniluretë (barna që ulin niveli e sheqerit në gjak) ose sulfonamidet (antibiotikë) ose lëndë të ngjashme me to.

Çrregullime të metabolizmit dhe ushqyerjes
Rrallë mund të vërehet rënie e theksuar e nivelit të sheqerit në gjak (hipoglicemi) (shih paragrafin ” Përkujdesje të veçanta, të nevojshme përpara se të përdorni Oltar® 2” për shenjat e rënies së nivelit të sheqerit në gjak).

Çrregullime të syve
Sidomos në fillim të trajtimit mund të ndodhin çrregullime të përkohshme të shikimit (pamjes).

Çrregullime gastrointestinale
Efekte të padëshiruara të tilla si të përziera, të vjella, heqje barku (diarre), ndjesi fryrje në stomak ose dhimbje stomaku janë shumë të rralla.
Në raste të rralla këto efekte mund të bëhen shkak për ndërprerjen e trajtimit.

Çrregullime hepatobiliare (të mëlçisë dhe tëmthit)
Mund të vërehet një rritje e nivelit të enzimave të mëlçisë në gjak.
Në raste shumë të rralla është e mundur të shfaqen çrregullime të funksionit të mëlçisë (p.sh. pengesë në rrjedhën e lëngut tëmthor dhe verdhëz) dhe inflamacion i saj, që mund të marrë përmasat e insufiçiencës hepatike, kërcënuese për jetën.

Çrregullime të lëkurës dhe indit nën lëkurë
Mund të ndodhin reaksione mbindjeshmërie në lëkurë të tilla si të kruara, shpërthime (rash) në lëkurë, urtikaria.
Shumë rrallë janë vërejtur raste me mbindjeshmëri ndaj dritës.

Ekzaminimet laboratorike
Shumë rrallë:
Pakësim i përqendrimit të natriumit në gjak.
Disa nga efektet e padëshiruara të shkaktuara nga bari (p.sh. pakësimi i nivelit të sheqerit në gjak, insufiçienca hepatike, ndryshime të caktuara në formulën e gjakut, reaksionet e mbindjeshmërisë) mund të jenë kërcënuese për jetën.
Për këtë arsye, jeni të lutur të njoftoni menjëherë mjekun në rast se ju shfaqet papritur ndonjë efekt i padëshiruar apo nëse bëhet i formës së rëndë.
Në këto kushte, ju për asnjë arsye, nuk duhet ta përdorni më tej barin pa u këshilluar më parë me mjekun.
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara të cilat nuk janë rradhitur në fletën udhëzuese ose në rast se keni përjetuar ndonjë efekt të padëshiruar serioz.

5. SI DUHET TË RUHET Oltar® 2?
Barnat duhet të ruhen në vende që nuk mund të arrihen nga fëmijët.
Ky bar nuk duhet të përdoret pas kalimit të datës së skadencës, e cila është e shënuar si në blister, ashtu edhe në kuti.
Bari duhet të ruhet në paketimin e tij origjinal.

6. TË DHËNA TË TJERA
Çfarë përmban Oltar® 2 ?
Lënda vepruese është glimepiridi.
1 tabletë përmban 2 mg glimepirid.

Lëndë të tjera (eksipientë) në përmbajtje të tabletës:
Laktozë monohidrat, amidon misri, amidon glikolat natriumi (type A), povidon K 30, polisorbat 80, talk, stearat magnezi.

Si paraqitet Oltar® 2?
Oltar® 2 gjendet në trajtën e tabletave të pa veshura, me ngjyrë të bardhë, me formë të ngjashme me kapsulat, me kënde të rrumbullakosura, me të thelluara në njerën anë që ndihmon ndarjen.
Përveç Oltar® 2, gjenden edhe tableta të tjera Oltar®, që përmbajnë 1 mg ose 3 mg lëndë vepruese.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive