Tuesday, November 22, 2016

Nifedipine

1. ÇFARË ËSHTË NIFEDIPINE DHE PËRSE PËRDORET

Nifedipina është një kalçibllokues dihidropiridinik.
Ajo frenon lëvizjen e joneve të kalçiumit përmes membranës qelizore.
Nifedipine ul kërkesën për oksigjen të miokardit.
Ajo është vazodilatatore e enëve periferike dhe atyre koronare, por ndryshe nga kalçibllokuesit e tjerë, diltiazemi dhe verapamili, ka pak ose aspak ndikim në përçimin kardiak dhe rrallë shihet efekt inotrop negativ në doza terapeutike.
Nifedipine nuk ka aktivitet antiaritmik.
Ajo zgjeron arteret kryesore koronare e arteriolat koronare, si në regjionin normal ashtu edhe në atë iskemik dhe është një frenuese e fuqishme e spazmave të tyre.
Ajo ul tensionin arteror në qetësi dhe në një nivel të caktuar sforcimi.
Këtë e realizon duke zgjeruar arteriolat periferike dhe duke ulur rezistencën e përgjithshme periferike.

 Nifedipine — 10 mg — drazhe indikohet në:

profilaksi dhe mjekim afatgjatë i sëmundjes së arteries koronare, përfshirë insufiçiencën koronare;
angine pectoris;
gjendje pas infarktit ( pas fazës akute );
angina Prinzmetal; në këtë patologji është shumë e efektshme;
hipertension ( hipertension i të gjitha stadeve, hipertension sekondar ); nuk duhet përdorur e vetme në hipertension;
në sëmundjen Raynaud.
Mjeku juaj mund t’ju ketë dhënë Nifedipine për një qëllim tjetër.
Pyesni mjekun tuaj në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë ky bar.

2. PËRPARA SE TË MERRNI NIFEDIPINE

Mos merrni Nifedipine në qoftë se:

keni mbindjeshmëri të njohur ndaj nifedipinës;
vuani nga sindromi i sinusit të sëmurë;
keni bllok atrio-ventrikular të shkallës së dytë ose të tretë, përveç rasteve me pacemaker në funksion;
keni kaluar shok kardiovaskular;
keni stenozë të avancuar të aortës;
keni kaluar infarkt miokardi para më pak se një muaji;
keni anginë të paqëndrueshme; nuk përdoret në ataket akute të saj;
jeni në periudhën e shtatzanisë dhe të ushqyerjes së fëmijës me gji;
vuani nga porfiria.
Tregoni kujdes të veçantë me Nifedipine :

për shkak të efekteve të nifedipinës në rezistencën e enëve periferike të gjakut, këshillohet kujdes i posaçëm në rastet e hipotensionit të theksuar ( presioni sistolik më i ulët ose 90 mm Hg ) dhe është e nevojshme të kontrollohet me kujdes tensioni arteror në fillim të mjekimit dhe derisa të stabilizohet doza mbajtëse; po për këtë arsye, Nifedipine duhet përdorur me kujdes në të sëmurët me insufiçiencë kardiake dhe në ata që mjekohen me beta-bllokues ose barna të tjera antihipertensive;
të shmanget përdorimi sublingual i nifedipinës në krizë hipertensive, sepse ekziston rreziku që ky përdorim të shkaktojë ndërlikime kardiake ose insult cerebral:
përdorimi i njëkohshëm i nifedipinës dhe digoksinës mund të shkaktojë uljen e klirensit të digoksinës dhe për pasojë të shkaktojë një rritje të nivelit plazmatik të saj. Në këto raste, nivelet e digoksinës duhen kontrolluar dhe në rast nevoje, doza o saj duhet ulur;
Nifedipine duhet përdorur me kujdes në të sëmurët me rezerva të varfra kardiake;
Nifedipine duhet përdorur me kujdes tek diabetikët;
mjekimi duhet ndërprerë në qoftë se shfaqet dhimbje iskemike ose në qoftë se dhimbja ekzistuese rëndohet;
në të sëmurët me dëmtim të funksionit të mëlçisë doza duhet ulur;
efekti antihipertensiv i Nifedipine mund të fuqizohet kur ajo përdoret njëherësh me cimetidinën;
shfaqja e edemave periferike në të sëmurët me insufiçiencë kardiake kongjestive bën të nevojshëm dallimin ope diferencimin e edemave që shkaktohen nga Nifedipine dhe të atyre që shfaqen si rezultat i përkeqësimit të funksionit të ventrikulit të majtë.
Marrja e Nifedipine me ushqim dhe pije
Drazhetë zakonisht përdoren gjatë ose pas ushqimit dhe merren me ujë ose qumësht.

Shtatzania
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzanë ose po planifikoni të ngeleni shtatzanë.
Nifedipine është e kundarindikuar në shtatzani sepse është vërtetuar se ajo jep efekte teratogjene në minj e lepuj, por në rastet urgjente hipertensive. p.sh. në eklampsi, bari i mund të përdoret nën përgjegjësinë dhe kontrollin e rreptë të mjekut.

Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjën me qumësht gjiri.
Nifedipine kalon në qumështin e gjirit.
Kur është i nevojshëm mjekimi me Nifedipine, nëna duhet ta ndërpresë ushqimin e fëmijës me gji.

Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nifedipine mund ta ulë aftësinë për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri sepse ajo mund të shkaktojë marrje mendsh, dhimbje koke e të përziera.

Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Nifedipine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.

Mos harroni ta informoni mjekun tuaj për trajtimin me Nifedipine në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit, sidomos këta të përmendur më poshtë:

Nifedipine mund të theksojë efektin antihipertensiv të barnave të tjera antihipertensive. si p.sh. të beta-bllokuesve, edhe se ky kombinim përgjithësisht tolerohet mirë.
Theksimi i efektit antihipertensiv mund të shihet edhe në përdorimin e njëkohshëm me barna si: aldesleukin dhe antipsikotikë të cilët shkaktojnë hipotension.
Përdorimi i njëkohshëm i nifedipinës dhe i digoksinës mund të shkaktojë uljen e klirensit të digoksinës dhe për rrjedhojë të shkaktojë një rritje të nivelit plazmatik të saj. Në këto raste nivelet e digoksinës duhen kontrolluar dhe në rast nevoje, doza e saj duhet ulur.
Nifedipine mund të modifikojë përgjigjen ndaj insulinës ose glukozës, kështu që pacientët diabetikë duhet të rregullojnë trajtimin antidiabetik kur përdorin këtë bar.
Nifedipine metabolizohet në shkallë të madhe në mëlçi nga citokromi P450, izoenzima CYP3A4,kështu që mund të ndodhin ndërveprime me barna të tjera të cilat kanë të njëjtën rrugë metabolike, si kinidina dhe me induktuesit e enzimës, karbamazepina, fenitoina dhe rifampicina, si dhe me inhibitorët e enzimës, si: cimetidina, eritromicina dhe inhibitorët e HIV-proteazës.
Diltiazemi e zvogëlon klirensin e nifedipinës dhe prandaj kombinimi i tyre duhet bërë me kujdes dhe ndoshta duke e ulur dozën e nifedipinës.
Barbituratet mund t’i ulin përqëndrimet e nifedipinës në gjak.
Nga kombinimi i nifedipinës me fentanilin dhe sulfatin e magnezit me rrugë parenterale, mund të shfaqet hipotension.
Lëngu i qitros rrit përqëndrimin e nifedipinës në gjak.
Nifedipine rrit nivelet plazmatike të barit takrolimus.
Nifedipine thekson efektet e miorelaksantëve jodepolarizues.
3. SI TA MERRNI NIFEDIPINE
Gjithmonë merreni Nifedipine vetëm sipas këshillës së mjekut.
Në qoftë se ndonjë nga efektet e Nifedipine janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Drazhetë zakonisht përdoren gjatë ose pas ushqimit dhe merren me ujë ose qumësht.
Drazhetë Nifedipine disponohen në formëdozën 10 mg.

Në indikacionet e saj, përdoret në dozat e mëposhtme:
në angine pectoris: përdoren 10 – 20 mg, 3 herë në ditë:
në anginën Prinzmetal: 20 mg, 3 – 4 herë në ditë; doza maksimale ditore është 120 mg;
në hipertension: përdoren 10 – 20 mg, 2 – 3 herë në ditë.

Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të merrni Nifedipine për një kohë më të gjatë.
Pyesni mjekun tuaj për këshilla në qoftë se nuk  jeni të sigurtë për sa kohë duhet ta merrni.

Në qoftë se keni marrë më shumë Nifedipine
Në qoftë se keni marrë më shumë Nifedipine se sasia që duhet të merrnit. ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.

Në qoftë se keni harruar të merrni Nifedipine
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË NIFEDIPINE

Të gjitha barnat mund të shkaktojna efekte anësore.
Ndonjëherë ato janë serioze, shumicën e herëve jo.
Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore!
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet e padëshirueshme janë të lehta e kalimtare dhe zakonisht shfaqen në fillim të mjekimit; këto efekte i detyrohen veprimit vazodilatator të nifedipinës.
Shfaqja e këtyre efekteve vetëm në raste të rralla dikton nevojën e ndërprerjes së mjekimit apo rregullimin e dozës .

Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju shqetëson:

efektet e padëshirueshme që mund të shfaqen në mbi 50 % të të sëmurëve janë: asteni, vazodilatacion ( afshe të nxehta ), palpitacione, konstipacion, edemë periferike, marrje mendsh, dhëmbje koke;
efektet e padëshirueshme që mund të shfaqen në më pak se 1 % të të sëmurëve janë: dhimbje në andesite, simptomatologji pseudoanginoze, dhimbje gjoksi, hipotension, takikardi, sinkop, diarre, përndryshime të funksionit të mëlçisë ( shtim i transaminazave,kolestazë intrahepatike ), të përziera, mialgji, pagjumësi, nervozizëm, parestezi, dispne, të kruajtura, ekzantema, eritema, përndryshime të të parit, shtim i jashtëqitjes urinare;
Janë konstatuar edhe raste sporadike të efekteve të padashirueshme, si: reaksione alergjike ( anafilaktike ), çrregullime gastroenterike, hiperplazi gingivale, artralgji, dridhje, urtikarie, skuqje, hiperglicemi, gjinekomasti, dermatil fotosensibël.

Ndonjëherë mund të shfaqen episode hepatiti, shtim i fosfatazës alkaline ose LDH, pirozë gastrike, gazra, dhimbje goje, kollë, kongjestion nazal, çrregullime të sferës seksuale, ethe, djersitje, trombocitopeni, anemi, leukopeni, krampe muskulore, rigiditet artikular.
Në të sëmurët me dializë, me hipertension malinj dhe hipovolemi mund të shfaqet një ulje e theksuar e tensionit arteror si rezultat i vazodilatacionit.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues ju lutemi ta njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI NIFEDIPINE
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Nifedipine pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim!
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!

INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Nifedipine
Lënda vepruese është: Nifedipinë.
Çdo drazhe përmban 10 mg nifedipinë.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, laktozë, celulozë mikrokristalore, povidon, talk, stearat magnezi dhe masë drazhifikuese.
Përmbajtja e paketimit
Format e paketimit: kuti me 60, 90 drazhe.                                                                  PROFARMA
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive