Tuesday, November 22, 2016

Manitoli (solucion)

VETITË FARMAKOLOGJIKE

Manitoli është një diuretik osmotik për përdorim parenteral.
Pas administrimit intravenoz të manitolit, vërehet rritje e osmolaritetit të plazmës dhe shtim i gradientit osmotik ndërmjet plazmës dhe indeve. Si rezultat, kemi një shtim të fluksit të ujit nga indet drejt intersticiumit dhe plazmës. Meqenëse manitoli nuk përthithet nga veshka, presioni osmotik i urinës rritet, gjë që shkakton frenimin e përthithjes së ujit dhe shtim të diurezës.
INDIKIMET

Parandalim i nekrozës tubulare akute dhe trajtim i oligurisë në terren të IRA;
Edemë cerebrale, rritje e presionit intrakranial;
Rritje e presionit intraokular (glaukomë);
Trajtim simptomatik i intoksikimeve (rritje e diurezës).
 KUNDËRINDIKIMET DHE KUJDESI GJATË PËRDORIMIT

Kundërindikohet në të sëmurët me kongjestion të rëndë pulmonar, edemë pulmonare dhe insufiçiencë kardiake kongjestive të rëndë.
Kundërindikohet në rastet me hemorragji intrakraniale aktive.
Kundërindikohet në pacientët me anuri nga dëmtimi i rëndë i fuksionit renal, që nuk i përgjigjet dozës test të barit. Ai kundërindikohet edhe në rastet me dehidrim të theksuar.
Nuk duhet administruar pa vlerësuar paraprakisht funksionin renal të pacientit dhe fluksin urinar nëpërmjet një doze test.
Gjatë terapisë me manitol duhet monitorizuar ekuilibri elektrolitik i pacientit.
EFEKTET ANËSORE

Akumulimi i manitolit mund të çojë në mbingarkesë cirkulatore, gjë që mund të çojë në edemë pulmonare dhe insufiçiencë kardiake kongjestive.
Efektet anësore mbi SNQ përmbledhin: dhimbje koke, turbullim të shikimit, konvulsione.
Ndër efektet gastrointestinale përfshihen: nauzea, të vjellat dhe diarrea.
Prishja e ekuilibrit elektrolitik është tjetër efekt anësor i manitolit. Shenjat dhe simptomat më kryesore të prishjes së ekuilibrit elektrolitik (hiponatremi, hipokalemi, etj,) përfshijnë: krampet muskulare, parestezi, konfuzion, epilepsi, kontraksione ventrikulare premature, dhimbje koke.
Efektet anësore kardiovaskulare përfaqësohen nga: hipotensioni, hipertensioni, takikardia sinusale dhe angina.
Ekstravazimi i manitolit mund të çojë në edemë lokale dhe nekrozë kutane.
Të tjera efekte anësore janë: hipovolemia, acidoza metabolike, tharja e gojës, ethe, polidipsia, poliuria, insufiçiencë renale, rhinit, flebit, retension urinar dhe urtikarie.
NDËRVEPRIMET MEDIKAMENTOZE

Manitoli rrit eliminimin urinar të litiumit, salicilateve, barbiturateve, imipraminës dhe bromideve.
Manitoli mund të shkaktojë hipokalemi, ndaj, kur kombinohet së bashku me digoksinën, ai mund të rritë toksicitetin e kësaj të fundit.
Manitoli mund të fuqizojë efektin e diuretikëve të tjerë, kur përdoret njëkohësisht me ta. Ai mund të fuqizojë edhe efektin e frenuesve të anhidrazës karbonike mbi presionin intraokular, kur jepet së bashku me to.
PËRDORIMI GJATË SHTATZËNISË

Të evitohet përdorimi. Nuk ka informacion në lidhje me sigurinë.
 PËRDORIMI GJATË USHQYERJES ME GJI

Të evitohet përdorimi. Nuk ka informacion në lidhje me sigurinë.
 DOZA DHE MËNYRA E ADMINISTRIMIT

Parandalim i nekrozës tubulare akute dhe trajtim i oligurisë në terren të IRA
Fillimisht provohet një dozë test prej 200 mg/kg, e administruar me infuzion të ngadaltë IV.
Në rast përgjigje përdoret me dozë 50-200 gram, në formën e solucionit 5-25%, administruar me infuzion IV, duke patur si objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 30-50 mL/orë.
Tek fëmijët përdoret 0.25-2 gram/kg (solucion 15-25%) përgjatë 2-6 orëve.

Edemë cerebrale, rritje e presionit intrakranial, rritje e presionit intraokular
Përdoret me dozë 0.25-2 gram/kg, në formë solucioni 15-25%, e administruar me infuzion të shpejtë (30-60 minuta) intravenoz.

Trajtim simptomatik i intoksikimeve (rritje e diurezës)
Jepen me infuzion intravenoz 50-200 gram (fëmijët 2 gram/kg) me objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 100-500 mL/orë.

 PREPARATET E REGJISTRUARA
solucion për infuzion 10% OSMOFUNDINE
solucion për infuzion 20% MANNITOL
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive