Tuesday, November 22, 2016

Maninil 5 (tableta)

1. ÇFARË ËSHTË MANINIL® 5 DHE PËR ÇFARË PËRDORET
Maninil® 5 është një bar që përdoret për uljen e niveleve të rritura të glukozës në gjak në pacientët e rritur me diabet (diabet i sheqerit tipi 2), kur mjekimi rigoroz nëpërmjet dietës, rënies në peshë dhe veprimtarisë fizike nuk është i mjaftueshëm për të arritur një kontroll të mirë të nivelit të glukozës në gjak.
Maninil® 5 mund të përdoret i vetëm (monoterapi) ose i shoqëruar me metforminë.

2. PËRPARA SE TË PËRDORNI MANINIL® 5
Maninil® 5 nuk duhet te përdoret:
- në rast se jeni të mbindjeshëm (alergjikë) ndaj glibenklamidit, ngjyrosësit të kuq A (E 124) ose ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Maninil® 5;
- në rast se jeni të mbindjeshëm (alergjikë) ndaj sulfanilureve të tjera, sulfonamideve, diuretikëve me strukturë sulfonamide ose probenecidit, pasi ka mundësi për reaksione alergjike të kryqëzuara;
- në rastet e mëposhtme me diabet, ku gjithashtu nevojitet trajtimi me insulinë: diabet insulino-vartës (diabet i sheqerit tipi 1), çrregullime metabolike në diabet, për shembull acidifikimi i skajshëm i gjakut (ketoacidozë diabetike), gjendje prekomatoze ose komatoze, heqja kirurgjikale e pankreasit;
- në rast se efikasiteti i trajtimit me Maninil® 5 në diabetin jo-insulino-vartës (diabeti i sheqerit tipi 2) ka humbur;
- në çrregullimet e rënda të funksionit të mëlçisë;
- në çrregullimet e rënda të funksionit të veshkave.

Gjatë përdorimit të Maninil® 5 nevojitet kujdes i veçantë:
- në rast se e dini që vuani nga çrregullime të funksionit të mëlçisë ose veshkave, apo nga pakësimi i funksionit të gjendrës tiroide, hipofizës ose korteksit të gjendrës mbiveshkore;
- në rast se rrini pa ngrënë (esëll) për një kohë të gjatë apo nuk konsumoni sasinë e nevojshme të karbohidrateve;
- në rast se kryeni aktivitet fizik të pazakontë për ju;
- në rast se jeni i moshuar;
- në rast se vuani nga diarrea ose të vjellat.
Gjendjet e përshkruara më poshtë, veçanërisht kur ato shoqërohen ndërmjet tyre, paraqesin një rrezik të lartë për shfaqjen e hipoglicemisë (rënies së nivelit të sheqerit në gjak):
- në rast se jeni duke përdorur barna të caktuar (barna që veprojnë në sistemin nervor qendror ose  barna beta-bllokues) ose vuani nga një sëmundje neurologjike e caktuar (neuropatia autonomike), shenjat e rënies së nivelit të glukozës në gjak mund të maskohen dhe ju nuk do të mundeni të kuptoni në kohën e duhur rënien e nivelit të glukozës në gjak;
- në rast se konsumoni alkool rastësisht ose rregullisht, efekti i Maninil® 5 mund të fuqizohet (për pasojë niveli i glukozës në gjak do të ulet) ose mund të pakësohet (për pasojë niveli i glukozës në gjak do të rritet) në mënyrë të paparashikueshme;
- në rast se përdorni rregullisht barna laksativë, kontrolli i nivelit të sheqerit mund të përkeqësohet;
- niveli i glukozës në gjak mund të rritet shumë në situata të caktuara, si p.sh. në rast se nuk respektoni planin e trajtimit që ju ka këshilluar mjeku, në rast se efekti ulës i nivelit të glukozës në gjak i Maninil® 5 nuk është i mjaftueshëm, apo kur gjendeni në situata të veçanta stresi. Shenjat e rritjes së nivelit të glukozës në gjak mund të jenë: etje e theksuar, tharje goje, urinim i shpeshtë, të kruara dhe/ose tharje e lëkurës, infeksione të lëkurës ose infeksione mykotike, si edhe pakësim i performancës;
- në rast se përballeni me gjendje stresante të pazakonta (p.sh. dëmtime trupore, ndërhyrje kirurgjikale, infeksione të shoqëruara me ethe). Në këto raste mund të shfaqet një përkeqësim i gjendjes metabolike, me pasojë rritjen e niveleve të glukozës në gjak, që bën të nevojshëm përdorimin e përkohshëm të insulinës me qëllim që të përmirësohet kontrolli i nivelit të glukozës në gjak;
- në rast se gjatë trajtimit me Maninil® 5 ju shfaqen sëmundje të tjera kontrollohuni menjëherë tek mjeku që ju kuron. Në rast se, për ndonjë arsye nuk mund të kontrolloheni dot tek mjeku juaj (p.sh. shkoni në spital pas një aksidenti, apo sëmureni kur jeni me pushime), bëjini të ditur mjekut që ju viziton që jeni duke marrë mjekim për diabetin.
Me qëllim që të arrini një gjendje të mirë metabolike (vlera të sheqerit në gjak në nivelin e përshtatshëm dhe pa luhatje të mëdha) ju duhet të zbatoni plotësisht planin terapeutik që ju ka këshilluar mjeku. Mbajtja e dietës diabetike, aktiviteti fizik i vazhdueshëm dhe, në rast se është e nevojshme, rënia në peshë, janë po aq të rëndësishme sa edhe përdorimi i rregullt i Maninil® 5. Gjithashtu, është e rëndësishme që të respektoni datat e vizitave të kontrollit që ju ka caktuar mjeku. Rëndësi të veçantë ka kontrolli i rregullt i nivelit të sheqerit në gjak dhe urinë, ndërkohë që mjeku mund të kërkojë që herë pas here të bëhen edhe kontrolle shtesë (HbA1c dhe/ose fruktozaminës, yndyrnave në gjak, etj.).
Për pacientë, të cilët nuk garantojnë një përdorim të rregullt dhe të pavarur të barit, këshillohet që dhënien e barit ta bëjnë personat që kujdesen për ta.
Njoftoni mjekun në rast se rreziqet e përshkruara më lart janë të vërteta në rastin tuaj me qëllim që ai (mjeku) të ketë mundësi të rishikojë dhe, kur është e nevojshme, të rregullojë dozën e Maninil® 5 apo të gjithë planin terapeutik.

Fëmijët
Përsa kohë mungon përvoja dhe njohuritë e nevojshme, ky bar nuk duhet të përdoret në fëmijët.

Të moshuarit
Në pacientët e moshuar është i pranishëm rreziku për shfaqjen e vonuar të reaksioneve që shkaktohen nga rënia e nivelit të sheqerit në gjak.
Në rast se jeni i moshuar është e nevojshme që të rregulloni me kujdes dozën, si dhe të kontrolloni më shpesh nivelin e sheqerit në gjak, sidomos në fillim të trajtimit.

Shtatzënia
Maninil® 5 nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë.
Meqënëse barnat për trajtimin e diabetit nuk e rregullojnë sheqerin në gjak aq mirë sa insulina, ato nuk janë të përshtatshëm për t’u përdorur në trajtimin e diabetit gjatë shtatzënisë.
Trajtimi i diabetit jo insulino-vartës (diabeti sheqerit tipi 2) me insulinë gjithashtu është trajtimi i zgjedhur në gratë shtatzëna.
Sa herë është e mundur, barnat antidiabetikë që përdoren nga goja duhet të ndërpriten kur planifikohet shtatzënia dhe duhet të zëvendësohen me insulinë.
Në rast se jeni ose planifikoni të mbeteni shtatzënë këshilloni pa hezitim me mjekun.
Kontrollet e nivelit të sheqerit në gjak marrin rëndësi të veçantë gjatë shtatzënisë.

Ushqyerja me gji
Nuk dihet nëse Maninil® 5 kalon në qumështin e gjirit të gruas, prandaj, gjatë periudhës së ushqyerjes me gji, Maninil® 5 nuk duhet të përdoret.
Në të kundërt, ose ndërpritet ushqyerja me gji, ose diabeti trajtohet me insulinë.
Aftësia për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri.

Rritja ose ulja e nivelit të sheqerit në gjak, ose çrregullimet e shikimit, mund të dëmtojnë aftësinë tuaj për t’u përqendruar apo reaguar.
Ju duhet të këshilloheni me mjekun nëse mund të drejtoni automjetin në rast se:
- keni ulje të shpeshta të nivelit të sheqerit në gjak;
- shenjat paralajmëruese të rënies së nivelit të sheqerit në gjak janë pakësuar ose ju mungojnë.
Paralajmërime të rëndësishme lidhur me disa përbërës të Maninil® 5
Ky produkt përmban laktozë. Në rast se e dini që vuani nga intoleranca ndaj sheqernave, mund të përdorni Maninil® 5 vetëm pasi të jeni këshilluar paraprakisht me mjekun.

Ndërveprimet me barna të tjerë
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se përpara pak kohësh keni përdorur ose jeni duke përdorur barna të tjerë, përfshi edhe ato që merren pa recetë mjekësore.

Si pasojë e fuqizimit të veprimit të Maninil® 5, kur ai përdoret njëkohësisht me barnat e mëposhtëm, mund të shfaqet rënie e nivelit të sheqerit (glukozës) në gjak:
– barna të tjerë për trajtimin e diabetit, përfshi edhe insulinën;
– barna për uljen e presionit të gjakut ose për pakësimin e shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës (ACE frenues; bllokues të beta-receptorëve, dizopiramid, perheksilinë);
– barna për uljen e nivelit të rritur të yndyrës në gjak (klofibrat);
– barna për uljen e nivelit të acidit urik (probenecid);
– barna antidepresantë (fluoksetimë, frenues të MAO);
– barna që pengojnë mpiksjen e gjakut (kumarinikët);
– barna kundër dhimbjes dhe reumatizmës (barnat e grupit të pirazolonit);
– barna kundër infeksioneve (antibiotikët, si p.sh. kloramfenikoli, kinolonet, tetraciklinat, sulfonamidet);
– barna për trajtimin e infeksioneve mykotike (mikonazol);
– barna për trajtimin e tuberkulozit (acid paraaminosalicilik);
– barna për shtimin e masës muskulare (steroidë anabolizantë dhe hormone seksualë mashkullorë);
– barna që frenojnë oreksin (fenfluraminë);
– barna që përmirësojnë qarkullimin e gjakut kur jepen me doza të larta dhe me infusion intravenë (pentoksifilinë);
– barna që shkolitin shtresën korneale të lëkurës (salicilatet);
– disa barna për trajtimin e kancerit (ciklofosfamid);
– barna për trajtimin e alergjive (tritokalinë).
Në rast se jeni duke përdorur disa barna të caktuar për uljen e presionit të gjakut (bllokues të beta-receptorëve, klonidinë, guanetidinë ose rezerpinë), aftësia juaj për të kuptuar shenjat që paralajmërojnë rënien e nivelit të sheqerit në gjak, mund të dëmtohet.

Si pasojë e pakësimit të veprimit të Maninil® 5, kur ai përdoret njëkohësisht me barnat e mëposhtëm, mund të shfaqet rritje e nivelit të sheqerit (glukozës) në gjak:
– barna për trajtimin e nivelit të ulët të sheqerit në gjak (glukagon);
– barna për uljen e presionit të gjakut (bllokues të beta-receptorëve, diazoksid);
– barna që shtojnë sasinë e urinës (diuretikë);
– barna antiinflamatorë(glukokortikoidë);
– barna për uljen e nivelit të rritur të yndyrës në gjak (nikotinate);
– hormonet e tiroides;
– barna për trajtimin e disa sëmundjeve të syrit (acetazolamid);
– barna gjumëdhënës (barbiturate);
– barna për shtimin e shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës (simpatomimetikë);
– barna për trajtimin e konvulsioneve ose skizofrenisë (fenitoinë, derivate të fenotiazinës);
– barna për trajtimin e tuberkulozit (izoniazid, rifampicinë);
– hormone seksualë femërorë (progesteronë, estrogenë).
Barnat për trajtimin e ulçerave të stomakut dhe duodenit (antagonistët e receptorëve H2) ose barnat për uljen e presionit të gjakut (klonidina dhe rezerpina) mund të shkaktojnë si pakësim, ashtu edhe fuqizim të veprimit ulës të nivelit të sheqerit në gjak.
Në raste të veçuara, disa barna për trajtimin e disa sëmundjeve infektive (pentamidina) mund të shkaktojnë rënie ose rritje të theksuar të nivelit të sheqerit në gjak.
Gjithashtu, veprimi i barnave që pengojnë mpiksjen e gjakut (kumarinikëve) mund të dobësohet ose të fuqizohet.
Përdorimi i njëkohshëm i Maninil® 5 bashkë me ushqime dhe pije Gjatë trajtimit me Maninil® 5 duhet të shmangni konsumin e alkoolit, pasi efekti i Maninil® 5 mund të dobësohet ose të fuqizohet nga alkooli.

3. SI PËRDORET MANINIL® 5
Maninil® 5 duhet të merret (përdoret) gjithmonë sipas udhëzimeve që ju ka dhënë mjeku.
Në rast se nuk jeni të sigurtë pyetni mjekun ose farmacistin.
Edhe kur kalohet nga një bar antidiabetik në një tjetër, doza e barit të ri duhet të përcaktohet nga mjeku, duke u mbështetur si në dietën që ju përdorni, ashtu edhe në vlerat e sheqerit në gjak dhe urinë.
Në rast se nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, doza e zakonshme është:

Trajtimi fillestar
Fillimi i trajtimit bëhet duke përdorur dozën më të vogël të mundshme: – ½ (deri në 1) tabletë Maninil® 5 (të barabarta me 2.5 deri 5 mg glibenklamid) në ditë.
Në rast se me dozën e mësipërme nuk është e mundur që të arrihet një ulje e mjaftueshme e nivelit të sheqerit në gjak, mjeku mund të këshillojë që ju të rritni gradualisht dozën–në intervale nga pak ditë deri në një javë– deri sa të arrihet doza ditore e nevojshme, deri: – maksimumi 3 tableta Maninil® 5 (të barabarta me 15 mg glibenklamid) në ditë.

Kalimi nga një bar antidiabetik në një tjetër
Në rast se jeni duke kaluar nga trajtimi me një bar antidiabetik tjetër në trajtimin me Maninil® 5, mjekimi duhet të fillojë me një dozë: – ½ (deri në 1) tabletë Maninil® 5 (të barabarta me 2.5 deri 5 mg glibenklamid) në ditë.

Rregullimi i dozës
Në rast se jeni i moshuar, i dobët ose i kequshqyer, në rast se keni çrregullime të funksionit të veshkave ose mëlçisë, apo jeni i prirur për rënie të nivelit të sheqerit në gjak për arsye të tjera, trajtimi fillohet me një dozë më të vogël, me qëllim që të zvogëlohet rreziku i rënies së nivelit të sheqerit në gjak.
Gjtihashtu, mund të jetë e nevojshme që të rregulloni dozën e barit edhe në rastet kur keni ndryshim të peshës trupore ose të mënyrës (stilit) të jetesës.

Shoqërimi me barna antidiabetikë të tjerë
Në kushte të caktuar, mund të jetë e nevojshme që përveç Maninil® 5 të përdorni edhe ndonjë bar të grupit të glitazoneve (roziglitazon, pioglitazon).
Maninil® 5 gjithashtu mund të shoqërohet me barna të tjerë për trajtimin e diabetit, por që nuk nxitin çlirimin e insulinës (guar gum ose akarbozë).
Ne rast se prodhimi i insulinës fillon të pakësohet (fillimi i pamjaftueshmërisë dytësore), mund të provohet shoqërimi i barit me insulinë. Sidoqoftë, në rast se prodhimi i insulinës nga trupi juaj ka ndaluar plotësisht, atëherë duhet të fillohet trajtimi vetëm me insulinë (monoterapi me insulinë).

Marrja e barit
Tabletat duhet të gëlltiten të plota, të shoqëruara me një sasi të mjaftueshme lëngu (mundësisht me një gotë me ujë) përpara ushqimit.
Kur doza ditore është 2 tableta, ato merren njëherësh në mëngjes, përpara ushqimit.
Kur doza ditore është më tepër se 2 tableta Maninil® 5, këshillohet që ato të merren të ndara, dy herë në ditë (në mëngjes dhe në mbrëmje), duke mbajtur parasysh që doza më e madhe duhet të merret në mëngjes, përpara ushqimit.
Gjithmonë ndiqni udhëzimet që ju jep mjeku.
Është e rëndësishme që dozat të merren gjithmonë në të njëjtën orë të ditës.

Kohëzgjatjen e trajtimit e përcakton mjeku.
Njoftoni mjekun në rast se keni përshtypjen se efekti i Maninil® 5 është i mangët ose i tepërt.

Në rast se merrni një sasi më të madhe Maninil® 5 mund t’ju shfaqet:
Një mbidozim akut i theksuar i Maninil® 5, i cili në mënyrë të ngjashme me marrjen për një kohë të gjatë të dozave më të larta se sa nevojiten, mund të shkaktojë një rënie të theksuar, të zgjatur dhe kërcënuese për jetën të nivelit të sheqerit në gjak.
Shenjat e rënies së sheqerit në gjak përshkruhen në paragrafin 4. (“Efektet e padëshiruara të mundshme”).
Ju mund të korrigjoni rënien e nivelit të sheqerit në gjak kur nuk është e theksuar, duke konsumuar sheqer ose ushqime apo pije që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri.
Në çdo rast ju duhet të mbani me vete rreth 20 gram glukozë (sheqer).
Në rastet kur ju nuk arrini të korrigjoni menjëherë rënien e nivelit të sheqerit kërkoni pa vonesë ndihmën mjekësore.

Në rast se harroni të merrni Maninil® 5:
Asnjëherë mos dyfishoni dozën me qëllim që të kompensoni dozën e harruar më parë.

Çfarë ndodh kur ndërpritet trajtimi me Maninil® 5:
Ju nuk duhet të ndërprisni trajtimin, të ndryshoni dozën e barit apo dietën diabetike me iniciativën tuaj.
Sa herë që gjykoni që duhet bërë ndonjë ndryshim këshillohuni pa hezitim me mjekun.

4. EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat, edhe Maninil® 5 mund të shfaqë efekte të padëshiruara.

Shpeshtësia e efekteve të padëshiruara është vlerësuar si më poshtë:
Shumë të zakonshme Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar.
Të zakonshme Më pak se 1 në 10 por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar.
Jo të zakonshme Më pak se 1 në 100 por më shumë se 1 në 1000 pacientë të trajtuar.
Të rralla Më pak se 1 në 1000 por më shumë se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar.
Shumë të rralla Më pak se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar, përfshi raste të veçuara.

Efektet e padëshiruara

Të zakonshme
Çrregullime të metabolizmit dhe të ushqyerjes
Efekti i padëshiruar më i zakonshëm që shfaqet gjatë trajtimit me glibenklamid është rënia e nivelit të sheqerit në gjak (hipoglicemia).
Rënia e nivelit të sheqerit në gjak mund të jetë e zgjatur dhe të thellohet më tej, duke shkaktuar gjendje të tilla si koma (humbje e thellë e ndërgjegjes) hipoglicemike, që kërcënon jetën.
Në rast se rënia e nivelit të sheqerit në gjak ndodh shumë ngadalë, kur është i pranishëm dëmtimi i nervave (neuropatia autonome), ose kur merren njëkohësisht, edhe disa barna për trajtimin e presionit të rritur të gjakut (shih paragrafin 2. “Ndërveprimet me barna të tjerë”), shenjat tipike të rënies së nivelit të sheqerit në gjak janë të pakta ose mungojnë dhe për pasojë, kuptimi i kësaj gjendje nga pacienti bëhet më i vështirë.

Si mund të shkaktohet rënia e nivelit të sheqerit në gjak?
Shkaqet e mundshme të rënies së nivelit të sheqerit në gjak janë të përshkruara në paragrafin 2. “Gjatë
përdorimit të Maninil® 5 nevojitet kujdes i veçantë”.

Si mund të kuptohet rënia e nivelit të sheqerit në gjak?
Rënia e nivelit të sheqerit në gjak karakterizohet nga pakësimi i përqendrimit të sheqerit në gjak nën 50 mg/dl.

Shenjat e mëposhtme mund të shërbejnë për ju apo për njerëzit që ju rrethojnë si paralajmërim që niveli i sheqerit në gjak po ulet:
Djersitje e papritur, perceptim i rrahjeve të zemrës (palpitacione), dridhje, ndjenjë urie, nervozizëm, ndjesi pickimi/shpimi në zonën e gojës, zbehje, dhimbje koke, përgjumje, çrregullime të gjumit, ankth, lëvizje të pasigurta, deficite neurologjike të përkohshme (p.sh. çrregullime të të folurit ose pamjes, shenja të paralizës ose çrregullime të perceptimit).
Në rast se rënia e nivelit të sheqerit në gjak është e theksuar ju mund të humbni vetëkontrollin dhe vetëdijen.
Në këto kushte, lëkura është e lagësht dhe e ftohtë dhe shfaqet prirja për konvulsione.

Si veprohet kur bie niveli i sheqerit në gjak?
Masat që duhen marrë ne rast të rënies së nivelit të sheqerit në gjak përshkruhen në paragrafin 3. “Në rast se merrni një sasi më të madhe Maninil® 5 mund t’ju shfaqet “.
Njoftoni mjekun sa më shpejt të jetë e mundur në rast se vëreni shfaqjen e rënies së nivelit të sheqerit në gjak me qëllim që ai të mund të vlerësojë nëse trajtimi me Maninil® 5 duhet të korrigjohet.

Çrregullime të tjera të metabolizmit dhe ushqyerjes
Të zakonshme Shtim në peshë
Çrregullime të syve
Shumë të rralla Çrregullime të përkohshme të pamjes, veçanërisht në fillim të trajtimit.
Këto janë pasojë e ndryshimit të nivelit të sheqerit në gjak.
Çrregullime gastrointestinale
Jo të zakonshme Të përziera
Ndjesi presioni në stomak
Fryrje
Të vjella
Dhimbje stomaku
Heqje barku (diarre)
Gromësira
Shije metalike
Këto ankesa shpesh janë të përkohshme dhe në përgjithësi nuk kërkojnë ndërprerjen e trajtimit me Maninil® 5.
Çrregullime hepatobiliare
Shumë të rralla Rritje e nivelit të enzimave të mëlçisë në gjak, hepatit i nxitur nga bari, ikter (verdhëz), ndoshta si pasojë e mbindjeshmërisë së indit hepatik.
Këto çrregullime të funksionit të mëlçisë zakonisht janë të rikthyeshme pas ndërprerjes së Maninil® 5, por mundet edhe të përparojnë drejt insuficiencës hepatike, kërcënuese për jetën.
Çrregullime të lëkurës dhe indeve nënlëkurë
Jo të zakonshme Të kruara
Urtikaria
Shpërthime në lëkurë (eritemë nodoze, ekzantema morbiliforme ose makulopapulare)
Mbindjeshmëri ndaj dritës
Gjakosje nga lëkura
Këto ankesa janë reaksione të përkohshme mbindjeshmërie; por, shumë rrallë ato mund të përparojnë drejt gjendjeve me vështirësi në frymëmarrje dhe rënie të presionit të gjakut deri në gjendje shoku, kërcënues për jetën.
Shumë të ralla Reaksione të përgjithshme mbindjeshmërie, të shoqëruara me shpërthime në lëkurë, dhimbje kyçesh, ethe, proteinuri dhe ikter.
Inflamacion me natyrë alergjike i enëve të gjakut, kercënues për jetën.
Njoftoni menjëherë mjekun në rast se ju shfaqen reaksione në lëkurë!
Çrregullime të gjakut dhe sistemit limfatik
Të rralla Pakësim i numrit të trombociteve (mund të shkaktojë gjakosje në lëkurë)
Shumë të ralla Pakësim i numrit të qelizave të kuqe dhe të bardha të gjakut
Pakësim i numrit të të gjithë qelizave të gjakut (gjendje kërcënuese per jetën)
Anemi hemolitike
Ndryshimet e mësipërme të kuadrit të gjakut zakonisht janë të rikthyeshme pas ndërprerjes së Maninil® 5, por shumë rrallë mund të përbëjnë kërcënim për jetën.

Efekte të tjera të padëshiruara
Shumë të ralla Efekte të lehta diuretike (shtim i sasisë së urinës)
Proteinuri (shfaqje e proteinës në urinë) e përkohshme
Pakësim i përqendrimit të natriumit në gjak
Reaksione akute të intolerancës ndaj alkoolit, të karakterizuara me ankesa të qarkullimit të gjakut dhe frymëmarrjes Reaksione alergjike të njëkohshme (alergji e kryqëzuar) ndaj barnave të ngjashëm me glibenklamidin (sulfonamidet, rrjedhësit e sulfonamideve dhe probenecidi)
Lënda ngjyruese e kuqe që përmban tableta gjithashtu mund të shkaktojë reaksione alergjike.

Marrja e masave
Disa nga efektet e padëshiruara të barit (p.sh. rënia e sheqerit në gjak, insuficienca hepatike, ndryshimet në numrin e qelizave të gjakut, reaksionet e mbindjeshmërisë, inflamacioni i enëve të gjakut) mund të bëhen kercënuese për jetën.
Për këtë arsye, ju duhet të njoftoni mjekun kur ato shfaqen menjëherë apo përkeqësohen me shpejtësi.
Në asnjë rast bari nuk duhet të vazhdohet të përdoret më gjatë pa mbikqyrjen e mjekut.
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se gjatë trajtimit me Maninil® 5 ju shfaqen efektet e padëshiruara të përshkruara më lart.
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se ju shfaqen efektet të padëshiruara të tjera nga ato të përshkruara në këtë fletë udhëzuese.

5. SI RUHET MANINIL® 5
Të ruhet në temperaturë nën 30°C.
Mbajini barnat në vende të paarritshme prej fëmijëve!
Bari nuk duhet të përdoret pas kalimit të datës së skadencës të shtypur në kuti, në blister ose në etiketën e shishes.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive