Wednesday, November 2, 2016

Citeral 3mg/ml (pika për sy/vesh, tretësirë)

. ÇFARË ËSHTË CITERAL-i DHE PËR ÇFARË PËRDORET
Një ml e tretësirës përmban 3,5 mg ciprofloksacin hidroklorid monohidrat ekuivalent me 3 mg ciprofloksacinë.

Forma farmaceutike
Citeral pika për sy/vesh, është tretësirë e kthjellët, pa ngjyrë dhe sterile.

Paketimi
5 ml Citeral pika për sy/vesh, tretësirë është i paketuar në shishe të qelqit me rezistencë hidrolitike Tip I, me mbyllje për përdorim parenteral.
Kutia e kartonit përmban 1 (një) shishe me 5 ml tretësirë, e pajisur me pikatore sterile dhe me fletëudhëzimin.

Si vepron Citeral?
Substanca aktive e Citeral-it është ciprofloksacina.
Ciprofoksacina është antibiotik i cili i përket grupit të barnave të quajtura fluorokuinolone.
Ciprofloksacina vepron duke i mbytur bakteriet të cilat shkaktojnë infeksion.
Ky bar vepron në disa lloje të ndryshme të mikroorganizmave.

Kur përdoret Citeral?
• Infeksionet e syrit (konjunktiviti ose ulçera korneale) e shkaktuar nga mikrooranizma të ndjeshëm.
• Infeksionet e veshit (inflamacioni i kanalit të veshit ose i veshit të mesëm) i shkaktuar nga mikrooranizma të ndjeshëm.

2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI CITERAL?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet të përdorni Citeral?
• Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) në ciprofloksacinë, në kinolonet e tjera, ose në cilindo përbërës tjetër të Citeral-it të përmendur më parë.
• Fëmijët nën moshën 1 vjeçare.
Pyeteni mjekun tuaj për këshillë.

Përkujdesje të veçanta me Citeral:
• Nëse ju keni lente të kontaktit.
Gjatë periudhës së trajtimit ju nuk duhet ti vendosni lentet e kontaktit.
• Nëse keni pasur probleme të tjera me vesh (p.sh. perforim i membranes së veshit, infeksione).
Si edhe me antibiotikët e tjerë përdorimi për kohë të gjatë i Citeral-it mund të shkaktojë që të manifestohen infeksionet e tjera.
Nëse ju keni pasur reaksione alergjike, skuqje, urtikarie, kruarje, ose nëse keni vështirësi me frymëmarrje, menjëherë duhet ta ndërpreni administrimin e mëtejshëm dhe të lajmëroni mjekun juaj ose në qendrën më të afërme të emergjencës, sepse kjo mund të shfaqet pas marrjes së dozës së parë.
Nëse nuk jeni i sigurt, ju duhet të bisedoni me mjekun tuaj para se ta merrni këtë bar.
Nëse përkeqësohen simptomat ose nëse keqësohet sëmundja menjëherë, tregoni mjekut tuaj.
Siguria dhe efikasiteti i pikave Citeral (te përdorimi në sy ose në vesh) te fëmijët e moshës nën 1 vjeç ende nuk është i vërtetuar.

Informacione të rëndësishme nëse ju vendosni lente të kontaktit
Vendosja e lenteve të kontaktit nuk është e këshillueshme gjatë trajtimit të infeksioneve të syrit, sepse kjo mund ta keqësojë gjendjen tuaj.
Nuk duhet të aplikohen pikat derisa ju i keni të vendosura lentet e kontaktit.
Duhet të prisni 15 minuta pas aplikimit të pikave dhe pastaj ti vendosni lentet.

Shtatzënia dhe gjidhënia
Para se të merrni çfardo bari konsultohuni me mjekun tuaj ose farmacistin.
Nëse jeni shtatzënë ose nëse dyshoni se jeni shtatzënë, ose nëse jeni gjidhënëse, para se ta merrni Citeral-in, bisedoni me mjekun tuaj.

Efekti mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe për të përdorur makineri:
Nëse keni syrin e infektuar, në çfardo mënyre pas përdorimit të pikave Citeral ju nuk duhet ta ngisni makinën ose të operoni me makineri të rrezikshme.

Informacione të rendësishme lidhur me disa përbërës të Citeral-it
Ky bar përmban konservantë, benzalkonium klorid, i cili njihet si irritues dhe mund të shkaktojë reaksione lokale në lëkurë.
Gjithashtu mund të shkaktojë edhe irritim të syrit.
Të shmanget kontakti me lentet e buta të kontaktit.
Para aplikimit të mënjanohen lentet e kontaktit dhe të rivendosen së paku 15 minuta pas aplikimit të pikave.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Tregoni mjekut tuaj ose farmacistit nëse jeni duke marrur barna tjera ose nëse i keni marrë në të kaluarën e afërt, duke i futur edhe ato që merren pa recetë mjekësore.
Është me rendësi të veçantë nëse ju ndërkohë merrni barin që përmban teofilinë (bar që përdoret për sëmundjet respiratore), kofeinë, varfarinë (bar kundër koagulimit të gjakut).
Elevimi tranzitor i kreatininës në serum është raportuar te disa pacientë të cilët kanë marrë ndërkohë edhe ciklosporinë së bashku me ciprofloksacinë sistemike.

3. SI TË PËRDORET CITERAL-i?
Nëse vëreni se efekti i barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit.
Dozimi varet nga lloji i infeksionit dhe nga ashpërsia e tij.

Ulçera korneale
Dozimi duhet të vazhdohet edhe gjatë natës.
Dita 1 – 2 pika aplikohen çdo 15 minuta gjatë 6 orëve të para dhe pastaj nga 2 pika çdo 30 minuta.
Dita 2 – 2 pika aplikohen çdo orë.
Dita 3 deri në ditën e 14 – nga 2 pika çdo 4 orë.
Mjeku juaj do ta përcaktojë nëse ka nevojë që ju të trajtoheni më gjatë se 14 ditë.
Mos lejoni që pikatorja të prekë ndonjë sipërfaqe ose ndonjë send, sepse mund ta ndosë barin në shishe.

Infeksionet e syve:
Konjuktiviti bakterial
Dozimi i zakonshëm është një deri në dy pika në syrin e infektuar, katër here në ditë.
Te infeksionet e rënda, dozimi në dy ditët e para mund të jetë një deri në dy pika në çdo dy orë derisa ju jeni i zgjuar.
Ju nuk duhet ta përdorni CITERAL më tepër se 21 ditë, me përjashtim nëse për këte ju këshillon mjeku juaj.
Fëmijët
Siguria dhe efikasiteti i pikave Citeral te fëmijët e moshës nën 1 vjeç ende nuk është i vërtetuar. Prandaj, ky bar nuk rekomandohet të aplikohet te fëmijët e moshës nën 1 vjeç.
Dozimi te fëmijët e moshës mbi 1 vjeçare është e njejtë me atë për të rriturit.

Infeksionet e veshit
Para përdorimit të pikave Citeral, duhet të pastrohet kanali i veshit.
Ju mund ta ngrohni shishen me pika duke e mbajtur në duart tuaja për disa minuta.
Mos lejoni që pikatorja të prekë ndonjë sipërfaqe ose ndonjë send, ose sekretet e veshit, sepse mund ta ndosë barin në shishe.
Të rriturit
-4 pika në vrimën e veshit, 2 herë gjatë ditës, në mëngjes dhe mbrëmje.
Fëmijët
-3 pika në vrimën e veshit 2 herë gjatë ditës, në mëngjes dhe mbrëmje.
Nëse përdorni tampon pambuku për vesh (material i cili ka fuqi absorbuese dhe i cili vendoset në vrimën e veshit) mjeku juaj do t’ju këshillojë, të përdorni më tepër pika vetëm pas aplikimit të parë.
Mjeku juaj do të tregojë sa do të zgjasë trajtimi me Citeral.
Megjithëse simptomat e infeksionit mund të zhduken shumë shpejt pas fillimit të aplikimit, barin duhet ta merrni sipas udhëzimeve të mjekut, për tu siguruar se infeksioni nuk do të kthehet.
Citerali të përdoret në të dy veshët nëse ka rekomanduar mjeku.

Nëse përdorni Citeral më shumë sesa duhet:
Mbidozimi lokal me Citeral mund të pastrohet nga syri me anën e ujit të ngrohtë.
Në rast të mbidozimit me pika në vesh, e sidomos nëse keni perforim të membranes së veshit, kërkoni ndihmën e mjekut specialist.
Nëse keni harruar ta merrni Citeral
Mos e dyfishoni dozën.
Nëse keni harruar ta merrni këtë bar, ju duhet ta merrni këtë sa më parë që ju kujtohet.
Nëse është koha për aplikimin e radhës, vazhdoni sipas orarit, ashtu si është përshkruar nga mjeku juaj.

Nëse e ndërpreni marrjen e Citeral
Barin merreni sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mjeku juaj do të ju tregojë për kohëzgjatjen e marrjes së barit.
Në rast të ndërprerjes mund të rikthehen simptomat e sëmundjes tuaj.
Është me rëndësi që të vazhdoni ta merrni trajtimin deri në fund, edhe nëse pas marrjes së dozave të para ndjeheni më mirë.
Përndryshe ju mund të ndikoni edhe në zhvillimin e rezistencës mikrobike.
Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse keni diçka të paqartë, pyeteni mjekun tuaj ose farmacistin.

4. EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Citeral-i mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient.
Efektet e padëshiruara më të zakonshme janë: djegësimë, shqetësim, kruarje, ndjenja e trupit të huaj, skuqje e syrit ose kapaku i syrit nga brenda, formim i krustave në kapak të syve, rënie e të parit, rritje e prodhimit të lotëve, ndjeshmëria në dritë, grimca të bardha në sy.
Ju mund të keni reaksione edhe në pjesët e tjera të trupit duke e futur: nauzenë, shijen e keqe në gojë, reaksionet alergjike p.sh. skuqje, kruarje, kokëdhembje, enjtje, ose vështirësi me frymëmarrje.
Ju mund të keni disa ose të gjitha efekte të padëshiruara në vijim në vesh:
Të zakonshme: kruarje.
Të rralla: tinitus.
Efekte tjera të padëshiruara janë: dhimbje koke, rash.
Ju lutemi që të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin nëse do të keni ndonjerin nga këto efekte të padëshiruara, ose ndonjë i cili nuk është shënuar në këtë fletudhëzim.

5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT
Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve!
Bari i pa hapur nuk kërkon kushte te veçanta për ruajtje.
Bari i hapur duhet te ruhet në temperaturë prej 15 °C deri ne 25 °C.

Afati i përdorimit
Të mos shfrytëzohet pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.
Data i referohet ditës së fundit të muajit të shënuar.
Afati i përdorimit pas hapjes së parë të shishes është 28 ditë nëse ruhet në temperaturë prej 15 °C deri 25°C.

Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtatshme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Ky bar merret vetëm me recetë të mjekut.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive