Sunday, October 23, 2016

Infeksionet e rrugeve urinare

Infeksionet janë sëmundje të cilat shkaktohen nga mikrobet – organizmat shumë të vegjël të cilat shihen vetëm me mikroskop. Infeksioni i traktit urinar është kur mikroorganizmat shkaktojnë infektim të rrugëve urinare.Çfarë është infeksioni i traktit urinar (ITU)? Infeksionet janë sëmundje të cilat shkaktohen nga mikrobet – organizmat shumë të vegjël të cilat shihen vetëm me mikroskop. Infeksioni i traktit urinar është kur mikroorganizmat shkaktojnë infektim të rrugëve urinare

SHKAKTARËT DHE SIMPTOMAT

Shkaktarët e infeksioneve të traktit urinar

Shumica e rasteve me ITU shkaktohen nga bakteret të cilat jetojnë në zorrë. Bakteri Escherichia coli (E. coli) shkakton shumicën e rasteve me ITU. Trakti urinar ka disa sisteme për parandalimin e infeksionit. Pikat ku ureterët lidhen me fshikën e urinës veprojnë si një valvulë për të parandaluar urinën të rikthehet sërish në veshka, dhe urinimi pastron mikrobet nga organizmi. Te meshkujt ekziston një gjëndër e quajtur prostatë e cila prodhon sekrete për të ngadalësuar zhvillimin e baktereve. Edhe sistemi imun po ashtu parandalon infeksionet, te të dyja gjinitë. Por pavarësisht kësaj mbrojtje të lartë, infeksionet edhe më tej ndodhin.

Kush preket nga ITU?

Njerëzit e cilësdo moshë ose gjini mund të preken nga ITU. Por infeksionet e traktit urinar janë rreth katër herë më të shpeshta te femrat se te meshkujt. Femrat kanë uretër më të shkurtër, që e bën më të lehtë për bakteret të arrijnë në fshikën e urinës. Po ashtu, hapja e uretrës së femrave është afër vagjinës dhe anusit, ku bakteret jetojnë më së shumti. Femrat të cilat përdorin diafragmë ose spirale kontraceptive po ashtu janë më të prira të preken nga infeksionet e traktit urinar, se sa femrat të cilat përdorin tableta kontraceptive për të kontrolluar lindjen.

Njerëzit tjerë më të rrezikuar për t’u prekur nga infeksionet e traktit urinar janë:

njerëzit me diabet ose probleme tjera të sistemit imun (mbrojtjes natyrale) të organizmit;
ata të cilët kanë nevojë për gyp (kateter) për të zbrazur fshikën e urinës;
ata me çrregullime të traktit urinar, te të cilët është e penguar rrjedhja e urinës;
njerëzit me lëndime të palcës kurrizore ose dëmtim tjetër nervor.
A janë serioze infeionet e traktit urinar?

Shumica e infeksioneve të rrugëve urinare nuk janë serioze, por disa mund të çojnë deri në probleme shumë serioze. Infeksionet kronike të veshkave – infeksionet të cilat përsëriten kohë pas kohe ose zgjatin një kohë të gjatë – mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme, përfshirë dhëmbëzime të veshkave, funksion të dobët të veshkës, tension të lartë të gjakut dhe probleme të tjera. Disa infeksione akute të veshkave – infeksione të cilat zhvillohen menjëherë – mund të jenë kërcënuese për jetën, veçanërisht nëse bakteret futen në qarkullimin e gjakut, një sëmundje e cila quhet septikemi.

Shenjat dhe simptomat e infeksionit të traktit urinar

Ju duhet të vizioni mjekun nëse keni ndonjëherë prej këtyre shenjave ose simptomave:

ndjenjë djegieje kur urinoni;
nevojë e shpeshtë ose e intensifikuar e urinimit, edhe kur ju keni vetëm pak urinë për të nxjerrë;
dhimbje në shpinë ose anash belit nën brinjë;
urinë të turbullt, të errët, me gjak ose me aromë të keqe;
temperaturë ose të ftohtë.

PARANDALIMI

Si mund t’i parandaloni infeksionet e traktit urinar?

Përveç marrjes së antibiotikëve, duke ndryshuar disa prej shprehive tuaja ditore dhe zgjedhjeve në stilin e jetës, mund t’u ndihmojë të parandaloni përsëritjen e infeksioneve të traktit urinar.

Të ushqyerit, dieta dhe nutricioni

Pirja e shumë lëngjeve mund t’u ndihmojë t’i shpëlani bakteret nga sistemi juaj. Uji është zgjidhja më e mirë. Shumë njerëz duhet të pinë gjashtë deri në tetë gota ujë në ditë (rreth dy litra). Por mos pini kaq shumë ujë nëse keni insuficiencë të veshkave. Konsultohuni me mjekun tuaj për të mësuar se sa lëng është e shëndetshme për ju.

Shprehitë e tualetit

Urinoni shpesh dhe që në rastin e parë kur ndjeni nevojën për të urinuar. Bakteret mund të zhvillohen kur urina qëndron në fshikë shumë gjatë. Urinoni menjëherë pas marrëdhënieve seksuale, për të shpëlarë bakteret të cilat mund të kenë depërtuar në uretër gjatë seksit. Pirja e një gote uji do t’u ndihmojë të shpëlani bakteret.

Pasi keni përdorur tualetin, gjithmonë fshijuni me letër tualeti nga para prapa. Ky hap është i rëndësishëm pas zbrazjes së zorrëve, për të penguar bakteret të mos depërtojnë në uretër.

Veshjet

Mbani të mbathura të pambukut dhe veshje më të gjera (jo të ngjitura për trupi), ashtu që ajri të mund të qarkullojë dhe uretra të thahet. Shmangni të brendshmet prej najloni dhe xhinset e ngjitura për trupi, të cilat e mbajnë lagështinë dhe ndihmojnë bakteret të zhvillohen.

Mbrojtjet nga shtatzënia

Për femrat, përdorimi i kontraceptivëve diafragmë ose spermicidë mund të çojë në infeksione të traktit brinar, duke rritur zhvillimin e baktereve. Nëse keni probleme me ITU, përpiquni të gjeni forma të tjera të mbrojtjes nga shtatzënia.

Prezervativët e palubrifikuar ose spermicid, rrisin irritimini, që mund të ndihmojë në zhvillimin e baktereve. Provoni të kaloni në prezervativë pa spermicidë ose përdorni lubrifikues jospermicidë.

TRAJTIMI

Si trajtohen infeksione te traktit urinar?

Infeksionet e traktit urinar trajtohen me antibiotikë të cilët vrasin bakteret që e kanë shkaktuar infeksionin. Antibiotikët e përshkruar do të varen nga lloji i baktereve që kanë shkaktuar ITU te ju. Disa antibiotikë mund të përjashtohen nëse ju jeni alergjikë në to. Tregoni mjekut tuaj nëse jeni alergjikë në ndonjë bar.

Ju mund të keni nevojë të merrni antibiotikë për disa ditë ose për shtatë ditë ose më shumë. Kohëzgjatja e trajtimit varet nga disa faktorë:

sa i ashpër është infeksioni
nëse iu janë dhënë antibiotikët e duhur që në fillim
nëse bakteret u rezistojnë antibiotikëve
nëse keni infeksione që përsëriten
nëse keni trakt urinar anormal i cili bllokon qarkullimin e urinës
nëse jeni mashkull ose femër; meshkujt mund të kenë nevojë për trajtim më të gjatë pasi bakteret mund të fshihen thellë brenda indit të prostatës.
Ndiqni me kujdes dhe plotësisht instruksionet e mjekut tuaj kur përdorni antibiotikë.

Pirja e shumë lëngjeve dhe urinimi më i shpeshtë do ta përshpejtojnë shërimin. Nëse ka nevojë, ju mund të duhet të merrni barna të ndryshme për të qetësuar dhimbjet e traktit urinar. Një leckë ngrohëse në shpinë ose abdomen mund të ndihmojnë.

A mund të rikthehen infeksionet e traktit urinar?

Për shumicën e njerëzve, përgjigja është jo. Por rreth një në çdo pesë gra të reja, të cilat kanë një infeksion të traktit urinar, do të kenë edhe infeksion tjetër. Disa gra kanë tre ose më shumë infeksione gjatë një viti.

Meshkujt janë më pak të prirë se femrat për të pasur infeksion të parë të traktit urinar. Por, kur preket njëherë, mashkulli është më i prirë të ketë edhe një tjetër infeksion, pasi bakteret fshihen thellë brenda indit të prostatës. Çdokush i cili ka diabet ose ndonjë problem që e vështirëson urinimin, mund të ketë infeksione të përsëritura.

Nëse ju keni infeksione të përsëritura, mjeku juaj mund t’u udhëzojë të vizitoni një urolog. Bisedoni me mjekun tuaj ose urologun për planin special të trajtimit. Për shembull, ju mund të keni nevojë për antibiotikë për një kohë të gjatë për të ndihmuar parandalimin e përsëritjes së infeksioneve.

Disa pacientë me infeksione të shpeshta urinare trajtohen me kombinim antibiotikësh qysh herën e parë kur shfaqen shenjat e infeksionit. Sigurohuni se i keni kuptuar dhe se i ndiqni instruksionet që u jep personeli shëndetësor (mjeku familjar apo specialisti urolog)
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive