Hipotensioni është një term mjekësor që përdoret për shtypjen e ulët të gjakut (nën 90/60). Shtypja e gjakut prezantohet me dy numra: i pari dhe më i larti është shtypja sistolike (ose presioni në arterie kur zemra rrah dhe i mbush ato me gjak), ndërsa numri i dytë, paraqet shtypjen diastolike (ose shtypjen në arterie kur zemra pushon në mes të rrahjeve).
SHKAKTARËT
Shkaktari i shtypjes së ulët të gjakut nuk është gjithmonë i qartë. Mund të jetë i pranishëm gjatë:
Shtatzënisë
Problemeve hormonale (si hipotiroidizmi, diabeti apo hipoglikemia)
Përdorimit të disa barnave kundër dhimbjes
Përdorimit të barnave kundër hipertensionit, depresionit apo sëmundjes Parkinson
Pamjaftueshmërisë së zemrës
Aritmive
Zgjerimit të enëve të gjakut
Goditjes nga të nxehtit
Sëmundjes së mëlçisë.
TRAJTIMI
Vetëm në rast se hipotensioni jep simptoma ose nëse shtypja e gjakut bie përnjëherë, atëherë mund të trajtohet. Trajtimi varet nga simptomat tuaja, sa janë të rënda dhe nga arsyet që shfaqet rënia e shtypjes.
Mjeku mund t’u rekomandojë:
Më shumë kripë në ushqim.
T’ju japë lëngje me rrugë intravenoze (IV) nëse jeni shumë të dehidruar.
Të ndryshojë ose ndërpresë barnat që e ulin së tepërmi shtypjen.
Të ordinojë barna për ta trajtuar problemin që e shkakton shtypjen e ulët të gjakut.
PARANDALIMI
Nëse keni hipotension ortostatik, mjeku juaj do t’ju sugjerojë që të provoni disa metoda të thjeshta për të parandaluar simptomat, si marramendja. P.sh. ju mund të:
Ngriteni ngadalë
Pini më shumë ujë
Pini më pak ose aspak alkool
Kufizoni ose shmangni kafeinën
Vishni çorape kompresuese (ndrydhëse)
Nëse gjatë ngritjes ju merren mendtë ose ju dhemb koka, uluni ose shtrihuni për disa minuta. Ose mund të uleni dhe ta vendosni kokën në mes të gjunjëve. Kjo do të ndihmojë që shtypja juaj e gjakut t’u kthehet vlerave normale dhe do të largojë simptomat.