Sunday, October 23, 2016

Astma

Astma është një sëmundje kronike (afatgjate) e mushkërive e cila inflamon dhe ngushton rrugët e frymëmarrjes. Astma shkakton periudha të herëpashershme të gërhitjeve (zëri fishkëllyes që bëjnë gjatë gjumit), shtrëngime në gjoks, frymëmarrje të vështirësuara dhe kollitje. Kollitja zakonisht ndodh gjatë natës ose herët në mëngjes. Astma prek njerëzit e të gjitha moshave, por më së shpeshti fillon gjatë fëmijërisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 230 milionë njerëz janë të regjistruar se e kanë astmën. Më shumë se çereku i tyre janë fëmijë.

SHKAKTARËT

Shkaktarët e saktë të astmës janë të panjohur. Shkencëtarët mendojnë se disa faktorë gjenetik dhe ambiental mund të veprojnë duke shkaktuar astmën, mjaft herët në jetë. Këta faktorë përfshijnë:

Tendencë e trashëguar për të zhvilluar alergji, e quajtur atopi
Prindërit të cilët kanë astmë
Infeksione të caktuara respiratore gjatë fëmijërisë
Kontakt me disa alergjenë të ajrit ose ekspozim ndaj infeksioneve virale gjatë foshnjërisë ose fëmijërisë së hershme kur sistemi imun zhvillohet.
Nëse astma ose atopia përcillet nëpër familjen tuaj, ekspozimi ndaj irrituesve (shembull, tymi i duhanit) mund t’i bëjë rrugët e frymëmarrjes më reaktive ndaj substancave në ajër

Disa faktorë mund të jenë më të prirë të shkaktojnë astmë te njerëz të caktuar se sa të tjerët. Kërkimet vazhdojnë të eksplorojnë se çfarë mund ta shkaktojë astmën.

Kush është i rrezikuar nga astma?

Astma prek njerëzit e të gjitha moshave, por më së shpeshti fillon gjatë fëmijërisë. Në gjithë botën ka më shumë se 230 milionë njerëz të të gjitha moshave të prekur nga kjo sëmundje, një e katërta e të cilëve janë fëmijë.

Fëmijët e vegjël të cilët gërhasin shpesh dhe kanë infeksione respiratore – si edhe faktorë të tjerë të rrezikut – janë në rrezik më të shtuar për të zhvilluar astmë e cila vazhdon përtej moshës gjashtë vjeçare. Faktorët tjerë të rrezikut janë alergjitë, ekzemat (sëmundje alergjike e lëkurës), ose prindër të cilët kanë astmë.

Në mesin e fëmijëve, astma është më e shpeshtë te djemtë se te vajzat. Por te të rriturit, sëmundja prek meshkujt dhe femrash njëjtë. Nuk është e qartë nëse ose si gjinia dhe hormonet seksuale luajnë rol në shkaktimin e astmës.

Shumica e njerëzve të cilët kanë astmë, por jo të gjithë, kanë edhe alergji.

Disa njerëz zhvillojnë astmën për shkak të kontaktit me irritues të caktuar kimikose pluhurin industrial në vendin e punës. Ky lloj i astmës quhet astmë e profesionit.

SIMPTOMAT

Shenjat dhe simptomat më të shpeshta të astmës janë:

Kollitja. Kollitja e astmës shpesh përkeqësohet gjatë natës ose herët në mëngjes, duke e bërë të vështirë fjetjen.
Gërhitja. Gërhitja është një zë fishkëllyes ose kërcitës që paraqitet kur ju merrni frymë.
Shtrëngim në gjoks. Kjo mund të japë një ndjenjë sikur diçka ju shtyp ose qëndron në gjoksin tuaj.
Frymëmarrje e vështirësuar. Disa njerëz me astmë thonë se ata nuk mund ta arrijnë frymëmarrjen e plotë ose mbeten pa frymë. Ju mund të ndjeheni edhe sikur nuk mund ta nxirrni ajrin nga mushkëritë.
Jo të gjithë njerëzit që kanë astmë i kanë këto simptoma. Ngjashëm, nëse i keni këto simptoma jo gjithmonë nënkupton se keni astmë. Mënyra më e mirë me anë të së cilës mjekët e diagnostikojnë astmën është përdorimi i testit të funksionimit të mushkërive. Mjeku do t’ju pyesë për historinë mjekësore (përfshirë edhe llojin dhe shpeshtësinë e simptomave) dhe do të bëjë edhe kontrollin fizik.

Lloji i simptomave të astmës që keni mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, siç mund të ndryshojë edhe shpeshtësia dhe ashpërsia e tyre. Ndonjëherë simptomat tuaja mund thjesht t’ju ngacmojnë. Herët tjera, ato mund të jenë mjaft problematike sa t’i kufizojnë rutinat tuaja ditore.

Simtomat e ashpra mund të jenë fatale. Kështu, trajtimi i simptomave kur ju i vëreni ato për të parën herë është i rëndësishëm, ashtu që ata të mos bëhen të ashpra.

Me një trajtim të duhur, shumica e njerëzve që kanë astmë mund të kenë vetëm disa ose aspak simptoma qoftë gjatë ditës ose natës.

Shkaktarët e simptomave

Shumë gjëra mund t’i nxisin ose përkeqësojnë simptomat e astmës. Mjeku do t’ju ndihmojë të kuptoni se cilat gjëra mund të nxisin sulmin astmatik nëse ju vini në kontakt me ta. Këto stimulues mund të jenë:

Alergjenët nga pluhuri, qimet e kafshëve, insektet, myku, dhe poleni nga drunjtë, bari dhe lulet.
Irrituesit si tymi i duhanit, ndotja e ajrit, lëndët kimike ose pluhuri në vendin e punës, përbërësit në produktet dekoruese dhe spërkatësit (si spërkatësit e flokëve).
Barnat si aspirina ose barnat anti-inflamatore josteoidale dhe beta-bllokatorët joselektiv.
Disa kompozime të sulfurit në ushqime dhe pije.
Infeksione virale të sipërme respiratore, si ftohjet.
Aktiviteti fizik, përfshirë stërvitjet e lodhshme.
Edhe sëmundje të tjera shëndetësore mund ta bëjnë astmën më vështirë të menaxhueshme. Këto sëmundje janë hunda e rrjedhshme, infeksionet e sinusit, sëmundja e refleksit gastroezofageal (kthimi i përbërjes nga lukthi në ezofag), stresi psikologjik, dhe apnea e gjumit. Këto sëmundje duhet të trajtohen si pjesë e planit të përngjitshim të kujdesit ndaj astmës.

Astma është e ndryshme për çdo person. Disa shkaktarë të përmendur më lartë, mund të mos ju prekin juve, por të prekin të tjerë. Disa shkaktarë të tjerë që ju prekin juve mund të mos jenë në listë. Ju duhet të bisedoni me mjekun për të gjetur se cilat gjëra bëjnë që astma juaj të përkeqësohet.

Trajtimi i astmës

Astma është një sëmundje afatgjate e cila nuk ka shërim. Qëllimi i trajtimi të astmës është kontrollimi i sëmundjes dhe simptomave. Në këtë mënyrë ju:

Do të parandaloni simptomat kronike dhe problematike, si kollitjen dhe pengesat në frymëmarrje.
Do ta ulni nevojën për barna.
Do të ruani funksionin e mirë të mushkërive.
Do të ruani nivelin normal të aktivitetit dhe të flini gjatë natës.
Do të parandaloni sulmet astmatike të cilat mund të rezultojnë me dërgim në dhomën e urgjencave ose qëndrim në spital.
Për ta kontrolluar astmën te ju ose te fëmija juaj ju duhet të punoni ngushtë me mjekun. Fëmijët e moshës dhjetë vjeçe ose më shumë, dhe të rinjtë më të vegjël që janë të aftë ta bëjnë, duhet të kujdesen vetë për astmën.

Kujdesi aktiv për astmën do të thotë:

Të punoni me mjekun për të gjetur sëmundjet tjera të cilat mund të ndërveprojnë me astmën.
Të shmangni gjërat që përkeqësojnë astmën (stimuluesit e astmës). Megjithatë, një shkaktar (stimulues) të cilin nuk duhet ta shmangni është aktiviteti fizik. Ky ndihmon të bëni një jetë të shëndetshme në të gjitha aspektet tjera, edhe pse përkeqëson astmën.
Punoni me mjekun për të krijuar një plan veprimi të astmës. Plani astmatik ju jep juve udhëzime se si t’i merrni barnat me rregull, të shmangni stimuluesit astmës, të përgjigjeni ndaj përkeqësimit të simptomave, dhe të kërkoni kujdes emergjent kur është e nevojshme.
Astma trajtohet me dy lloje të barnave: barna të kontrollit afat-gjatë dhe të lehtësimit të shpejt. Barnat e kontrollit afat gjatë ndihmojnë reduktimin e inflamimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe parandalojnë simptomat e astmës. Barnat e lehtësimit të shpejtë, ose “çliruese”, lehtësojnë simptomat e astmës të cilat mund të shpërthejnë.

Trajtimi fillestar do të varet nga ashpërsia e astmës tuaj. Trajtimi pasues do të varet sa mirë plani juaj i veprimit të astmës kontrollon simptomat tuaja dhe parandalon sulmet astmatike.

Mjeku juaj mund të duhet t’i shtojë barnat tuaja nëse astma nuk qëndron nën kontroll. Në anën tjetër, nëse astma juaj kontrollohet mirë për disa muaj, mjeku mund t’i pakësojë barnat. Këto ndryshime në barna do t’ju ndihmojnë të ruani kontrollin e astmës në mënyrën më të mirë të mundshme me më së paku barna të nevojshme.

Mjeku do të marrë parasysh shumë gjëra kur të vendosë se cilët barna janë më të mirat për ju. Ai do të shohë se sa mirë funksionojnë barnat për ju. Pastaj, mund ta ndryshojë dozën ose barin, në bazë të rezultateve.

Barnat e astmës mund të merren ose në formë tabletash, por shumica përdoren përmes pajisjeve të quajtura inhalatorë. Inhalatorët lejojnë barnat të shkojnë drejtpërdrejtë në mushkëri.

Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive